Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Paris se ideja e Komunitetit Politik Europian është një ide e shkëlqyer, të cilën e mbështet plotësisht.
Kryeministri Rama ndodhet në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes.
Duke folur në panelin me temë “Universializëm kur mundesh dhe multilaterizëm kur duhet”, Rama u ndal te rëndësia e Komunitetit Politik Europian.
Kryeministri kujtoi se ideja e Komunitetit Politik Europian e cila u rihodh në tryezë nga presidenti Macron nuk është tërësisht e re si ide, por i ka rrënjët në Francën e shekullit XVIII.
“Projekti nuk shkoi shumë mirë, por vazhdoi të ripërsëriste veten si vizion. Më pas patëm BE-në e kështu me radhë derisa Miteran sërish në vitin 1991 u kthye me të njëjtën ide për të ndërtuar një urë mes BE-së dhe pjesës tjetër të Europës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “idenë e Komunitetit Politik Europian e pamë të shpalosej menjëherë pasi nisi lufta, por edhe pasi përjetuam pandeminë që na dëshmoi me shumë kosto që mungesa e kësaj ure lidhëse mund të krijojë distancë, të shkaktojë një tragjedi ndasish midis të pasurve dhe më të varfërve”.
“E pamë BE-në të sillej si një federatë vendesh të pasura egoiste, që për të përballur frikën nga vdekja ikën nga sytë këmbët, edhe prej përgjegjësive për të ndarë vaksinat”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se “për një kohë të gjatë dëgjonim se ‘duhet të punojmë me Ballkanin Perëndimor dhe t’i angazhojmë se Kina, Rusia dhe Turqia do të fusin duart në rajon’”.
Por, vijoi ai, “pa Kinën, Rusinë dhe Turqinë ne nuk do t’i kishim mbijetuar valës së parë të COVID-19”.
“Vaksinat erdhën nga këto 3 vende”, tha ai.
“Kam shumë shpresë që kjo do të na çojë më tej dhe do të ketë mënyrën e duhur për t’u artikuluar për të mos qenë një përsëritje e procesit të integrimit në BE, pra një zëvendësuese, por të jetë hapësirë vendesh europiane me qëndrime të njëjta që bëhen bashkë e përballen me dramat e dilemat universale”, tha Rama.
Kryeministri vijoi duke thënë se gjendemi përballë një paradoksi të dhimbshëm se na duhet të përballemi me luftëra jokonvencionale si ndryshimi i klimës, krizën ushqimore, terrorizëm, emigracion dhe në të njëjtën kohë me luftën konvencionale, që nuk na lejojnë të përballemi me këto luftëra jokonvencionale që mund ta shkatërrojnë plotësisht njerëzimin. Gjetja e një ekuilibri midis të dyjave është një sfidë shumë e madhe”, shtoi ai.
Ndërkohë, Rama tha se Ballkani deri më tani ia ka dalë të qëndrojë larg luftës konvencionale duke qenë hallka më e brishtë e zinxhirit.
“Nëse flasim për Komunitetin Politik Europian dhe jemi aty, kemi dobësitë tona se e dimë shumë mirë që në Ballkan Rusia ka ndikimin më të madh potencial dhe mund të shkaktojë dëmet më të mëdha, për shkak të ndasive historike që janë ende të pranishme. Kemi një çështje të madhe në Ballkan, që është çështja e paqes përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës, por në të njëjtën kohë është e rëndësishme të shihet se Ballkani është i bashkuar. Të gjitha vendet tona në Ballkan votojnë njësoj në OKB kur është fjala për qëndrimin e të gjithë komunitetit tonë kundër agresionit e me radhë. Jemi në drejtimin e duhur, nuk është e lehtë, është mjaft e dhimbshme”, tha Rama.
Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris ka mbledhur liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.