Në kuadër të Pjesëmarrjes në edicionin e tretë të Forumit të Prespës për Diaolog, Presidenti i Republikës, mbajti fjalën në sesionin me temë: Paqja dhe Demokracia kundrejt Luftës dhe Autokracisë.
Në këtë sesion ishin të ftuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenber, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç si dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Në fjalën e tij në këtë sesion, Presidenti Begaj vlerësoi efektet pozitive të prodhuara nga Marrëveshja e Prespës, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por mbi të gjitha për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe zgjerimit të hapësirës së sigurisë euroatlantike.
Begaj e konsideroi kurajon dhe vizionin e liderëve që arritën këtë marrëveshje një shembull shumë të mirë për të gjithë rajonin.
Duke iu referuar Kosovës dhe dakordësisë publike të arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, Begaj, nënvizoi se askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, pasi Kosova është një realitet i politik i pakthyeshëm.
Ndërsa, duke iu referuar marrëveshjes së Prespës, Begaj nënvizoi se është koha e duhur që liderët e Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin përgjegjësitë historike, për ta çuar përpara procesin e pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre.
Begaj vlerësoi gjithashtu edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe influencën e tyre në proceset demokratizuese, duke nënvizuar, se nga historia kemi mësuar se demokracia nuk është e pakthyeshme dhe tolerimi apo mosveprimi i menjëhershëm e i koordinuar në mbrojtje të institucioneve dhe vlerave demokratike e bën kalimin nga demokracia në autokraci thjesht çështje kohe.
Argumentum.al sjell fjalën e plotë të presidentit Begaj në panelin e Presidentëve në forumin e Dialogut të Prespës, Strugë, 16 Qershor 2023
***
Është kënaqësi pjesëmarrja në këtë panel, një platformë e rëndësishme rajonale, në dobi të paqes, sigurisë, dhe prosperitetit.
Është vërtet kënaqësi, por njëkohësisht edhe përgjegjësi, pasi ky forum vjen në një moment shumë delikat, por edhe të rëndësishëm për rajonin tonë, për hapësirën euroatlantike.
Ky forum, na kujton Marrëveshjen historike te Prespës dhe na tregon se si liderët kurajozë e vizionarë mund dhe duhet të marrin përsipër përgjegjësi.
Mbi të gjitha, ajo marrëveshje zgjeroi hapësirën euroatlantike të sigurisë.
Duke u kthyer tek tema e këtij paneli, mes paqes dhe demokracisë nga njëra anë dhe luftës e autokracisë nga ana tjetër, mund të them, se nisur nga eksperienca e Shqipërisë gjatë periudhës së komunizmit, vendi im për afro 50 vjet ishte në një lloj paqe, por nuk kishte demokraci.
Paqja është thuajse e garantuar kur vendet janë dhe kanë demokraci.
Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, pati një optimizëm të përgjithshëm, se lufta nuk do të ishte më një opsion dhe se demokracia po triumfonte e po zgjeronte hapësirën e saj në mbarë botën.
Por vetëm tre dekada më pas, ne u bëmë dëshmitarë të një agresioni brutal të paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak nga një prej vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndaj një vendi tjetër sovran e anëtar i Kombeve të Bashkuara.
Efektet e këtij agresioni janë të shumëfishta, që nga kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore e deri tek siguria ushqimore. Rritja e çmimi të energjisë, pasiguria e tregjeve globale, rritja e inflacionit, po ndikojnë negativisht në vendet tona, si dhe kanë rritur ndjesinë e pasigurisë për të ardhmen.
Një efekt të drejtpërdrejtë kjo luftë e ka edhe për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, ku ende po përpiqemi të ndërtojmë një rajon ku të mbizotërojë fryma e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit.
Në fillim të kësaj ndërhyrjeje iu referova Marrëveshjes së Prespës, por ende ne i kemi të gjalla imazhet që çuan në Marrëveshjen e Dejtonit për ndalimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Imazhet që çuan në arritjen e Marrëveshjes së Kumanovës që i dha fund genocidit dhe operacionit spastrues të Milloshevicit në Kosovë.
Apo të Marrëveshja Kuadër të Ohrit, që ka prodhuar një frymë shumë të mirë bashkëpunimi ndëretnik këtu në Maqedoninë e Veriut, mes shqiptarëve e maqedonasve.
Dakordësia e fundit publike e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një moment tjetër optimizmi, por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi.
Nuk dua të hyj këtu në detaje, pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke.
Askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm!
Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërrmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre.
Kemi krijuar shumë organizata e iniciativa rajonale në funksion të këtij qëllimi, por ende duket se jemi larg asaj që ne dëshirojmë: një rajon në paqe, një rajon të sigurt e një rajon të zhvilluar.
Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë.
Si vend anëtar në NATO por edhe si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është solidare e po kontribuon me aq sa mundet që agresori në Ukrainë të mos triumfojë.
Në këto tre dekadat e fundit jemi përpjekur të ndërtojmë e konsolidojmë, në Shqipëri, institucione funksionale demokratike, duke pasur dhe mbështetjen e vyer të partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Këtë tendencë e shoh edhe në vendet e tjera të rajonit dhe në tërësi rajoni po përjeton një moment të ri dhe një dinamikë premtuese.
Gjysma e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor janë sot vende aktive të NATO-së, si dhe të gjitha vendet kanë bërë një progres në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian.
Për herë të parë Bashkimi Evropian organizoi një samit me liderët e rajonit jashtë hapësirës së saj, në Tiranë. Dhe po për herë të parë një nga vendet e rajonit, Shqipëria, ka marrë kryesinë e Procesit të Berlinit.
Të gjitha këto zhvillime, por edhe ato të bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve të rajonit, janë shumë inkurajuese.
Jemi para sfidash të tilla thelbësore që kërkojnë masa e angazhim kombëtar, rajonal e ndërkombëtar. Përballë këtyre duhet të bashkohemi për zgjidhje e ndryshim.
Ka një element thelbësor në këtë drejtim që vendos demokracinë dhe stabilitetin përballë njëri-tjetrit dhe kjo është dobësia e institucioneve demokratike në shumë vende të rajonit.
Ndaj dhe dëshiroj të nënvizoj, se sot marrin rëndësi më shumë se kurrë vlerat e qeverisjes demokratike, si dhe rëndësia kritike për të vazhduar investimin tonë në marrëdhëniet euroatlantike.
Por, gjithashtu, konstatoj me keqardhje, se në vitet e fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rritjes së influencës së aktorëve të tretë dashakeqës në rajonin tonë, gjithnjë e më shumë po zë vend mëdyshja: demokraci apo stabilitet.
Nga historia kemi mësuar, se demokracia nuk është e pakthyeshme. Ajo varet nga shumë variabla, të njohur e të panjohur, të cilat duhen mbajtur mirë në vëmendje. Tolerimi i tyre, apo më keq mosveprimi i menjëhershëm e i koordinuar, e bën kalimin nga demokracia në autokraci, thjesht çështje kohe.
Në këtë epokë të konkurrencës strategjike, sfidat tradicionale janë bërë më të mprehta dhe sfidat e reja më komplekse. Ndaj dhe dëshiroj të nënvizoj, se sot marrin rëndësi më shumë se kurrë vlerat e qeverisjes demokratike.
Së bashku, edhe nga ky forum, mundet e duhet të përcjellim mesazhin, se pavarësisht situatave gjeopolitike, e ardhmja e këtij rajoni do të jetë në familjen evropiane dhe euroatlantike. Ata që synojnë kthimin e këtij rajoni pas në të kaluarën konfliktuale duhet t’i bëjmë të dështojnë.
Duke qenë se jemi një rajon relativisht i vogël ku kulturat e traditat janë ngushtësisht të ndërlidhura, Ballkani ka mundësi reale të krijojë energji pozitive, veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit më intensiv e më të zgjeruar ekonomik.
Ballkani ka një kontribut për të dhënë, një eksperincë për të ndarë dhe një dorë të zgjatur miqësisht ndaj fqinjëve e aleatëve.
Kësisoj konfliktet tona mund të bëhen mësimet tona.
Duke e mbyllur, dëshiroj të falënderoj edhe njëherë Presidentin Pendarovski dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut për këtë mundësi që na dhanë në këtë qytet të bukur buzë liqenit të Ohrit, ku harmonia ndëretnike është model për t’u ndjekur.
/Argumentum.al