Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, ka thënë se fotografia me pamje të rënda grafike, ku pasqyrohet akti i dhunimit seksual të një gruaje nga persona me uniforma, të cilën e ka prezantuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, si dëshmi e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mund të jetë dokument i falsifikuar.
Pas intervistës që ajo ka dhënë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, lidhur me prezantimin e kësaj fotografie, u është drejtuar mediave, duke thënë se fotografia i ishte dorëzuar asaj në vitin 2003, në kohën kur ajo ishte kryetare e Komisionit për personat e pagjetur, nga një aktivist i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes ish-nënkryetares së Komisionit, Mevlyde Saraçi.
Sipas saj, personi që ia kishte dorëzuar fotografinë në zarf, i kishte thënë se mund ta përdorte si dokument dhe se gruaja në këtë fotografi që pretendohej se dhunohej nga pjesëtarët e forcave serbe, ishte e gjallë.
“Nuk kam besuar që ky dokument mund të jetë diçka që nuk është e saktë. Saktësinë e tij do ta vërtetojnë organet e shtetit. Unë qëndroj në dispozicionin e tyre në çdo moment, jo vetëm për këtë rast, por për të gjitha rastet”, ka thënë Brovina.
Ajo u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve, të cilëve kjo fotografi u ka shkaktuar tronditje.
“Këtë dokument e ruaj në mesin e shumë dokumenteve tjera që i kam qysh nga viti 2003. Tani, pas kaq kohësh, të quhet dokument i falsifikuar… më vjen shumë keq. Ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj pranë kësaj për gjithë fajësinë time, që ndoshta nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, ka thënë Brovina, e cila ka shprehur gatishmërinë që të japë dorëheqje nga posti i deputetes, në rast se kjo kërkohet si një masë e nevojshme.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me fotografinë, të cilën deputetja Brovina ua ka prezantuar mediave, për të cilën ajo kishte theksuar se është dëshmi e dhunës seksuale ndaj një gruaje 35-vjeçare nga ana e ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë.
Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka theksuar se publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina ka shkaktuar shqetësim të madh në opinion. Por, ajo ka hedhur poshtë pohimet e mëhershme të deputetes Brovina se Prokuroria ka qenë në dijeni lidhur me fotografinë që ajo ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka thënë se Brovina i ka thënë Prokurorisë së në posedim të fotografisë ka ardhur në vitin 2003, përmes disa aktivistëve nga Gjakova, emrat e të cilëve nuk i mban mend.
“Në pyetjen time se a e ka raportuar rastin në Prokurori ose në Polici, meqë kemi të bëjmë vepër penale, ka deklaruar që jo dhe se nuk e ka pasur të njohur që ka për obligim që ta deklarojë rastin në prokurori. Po ashtu, ka shprehur një shqetësim, me daljen e informatave, se kjo foto mund të jetë nga lufta e Irakut dhe se ajo nuk ka një njohuri të tillë”, ka thënë Hajdari./rel