Franca i ka bërë thirrje Kosovës të premten të vetëpërmbahet nga ndërmarrja e ndonjë “veprimi tjetër të njëanshëm”, i cili mund t’i përshkallëzojë edhe më shumë tensionet në veri të vendit, pas synimeve për rihapjen e urës mbi Ibër.
Reagimi i Francës vjen pasi autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime gjatë kësaj jave në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare, raporton REL.
“Franca e dënon fuqishëm rritjen e papritur të veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat prekin jetën e përditshme të komunitetit serb”, thuhet në një njoftim Ministrisë së Jashtme të Francës.
Të enjten, autoritetet kosovare kryen inspektime në urban mbi lumin Ibër në një fazë testimi para rihapjes së synuar të saj, ndërsa në fillim të javës ato i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të rihapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut me shumicë serbe.
Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër rihapjes së urës mbi Ibër.
Vendet e QUINT-it – pjesë e së cilit është Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britanin e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Sipas Francës, veprimet e autoriteteve kosovare i rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, “që është parakusht për realizimin e perspektives evropiane për të dyja vendet”.
Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.