Kryeministri britanik, Boris Johnson, është në Paris për diskutime me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, lidhur me Brexit-in, dhe mundësinë e rihapjes së marrëveshjes të cilën Londra e ka arritur me Bashkimin Evropian.
Johnson, gjatë një konference për media së bashku me presidentin Macron, tha se vota e britanikëve për të lënë BE-në duhet të respektohet.
Në anën tjetër, presidenti Macron tha se “ne e respektojmë” vendimin e Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.
“Një Brexit pa marrëveshje nuk është zgjidhja jonë, por është detyra jonë të jemi të përgatitur edhe për atë opsion”, tha Macron.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që BE-ja të mbajë marrëdhënie të privilegjuara me Britaninë.
Sipas tij, muaji i ardhshëm mund të jetë i dobishëm, por nuk mund të ndryshojë asgjë në marrëveshjen e tërheqjes.
Përkundër qëndrimit të palëkundur të presidentit Macron për të mos rihapur bisedimet, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka treguar më shumë fleksibilitet në këtë drejtim.
Të mërkurën, ajo tha se çështja ishte në Britaninë e Madhe për të gjetur një plan të zbatueshëm.
Kjo duket të jetë përpjekja e fundit e kryeministrit britanik për të bindur udhëheqësit evropianë që të ndryshohet marrëveshja e Brexit-it.
Britania e Madhe duhet të dalë nga BE-ja më 31 tetor.
Gjatë një konference për media së bashku me kryeministrin Johnson, kancelarja Merkel tha se një zgjidhje mund të jetë e arritshme brenda 30 ditësh.
Duket se ajo që synon kancelarja Merkel janë bisedimet për një deklaratë politike, si një dokument ligjërisht jodetyrues për marrëdhëniet e ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe BE-së, shkruan BBC.
Nga ana tjetër kryeministri Johnson tha se një marrëveshje mund të arrihet me “durim të mjaftueshëm”.
Çështja më e diskutueshme është ajo e kufirit irlandez.
Marrëveshja e negociuar nga BE-ja dhe ish-kryeministrja britanike, Theresa May është rrëzuar nga parlamenti britanik tri herë radhazi.
Kryeministri Johnson ka këmbëngulur se Britania e Madhe dëshiron të largohet nga BE-ja me një marrëveshje të rinegociuar të tërheqjes, por që sipas tij, edhe nëse nuk do të ndodhë diçka e tillë, vendi do të dalë nga BE-ja më 31 tetor./rel