Franca paralajmëroi qytetarët e saj në disa vende me shumicë myslimane të marrin masa sigurie shtesë, ndërkohë që është rritur zemërimi lidhur me çështjen e karikaturave të Profetit Muhamet.
Në Bangladesh, mijëra protestues marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit dhe disa prej tyre shkelnin me këmbë portretin e Presidentit francez Emmanuel Macron.
Irani thirri të ngarkuarin me punë francez për t’i dorëzuar një protestë mbi karikaturat.
Por në një shenjë zbutjeje, Arabia Saudite megjithëse i dënoi karikaturat, u distancua nga thirrjet e disa vendeve të tjera myslimane për bojkotim të produkteve franceze.
Mosmarrëveshjet e kanë burimin te një sulm me thikë jashtë një shkolle në Francë, më 16 tetor kur një person me origjinë çeçene i preu kokën mësuesit Samuel Paty, i cili u kishte treguar nxënësve karikaturat e Profetit Muhamet gjatë një ore mësimi për edukimin qytetar. Karikaturat e Profetit shihen si fyerje e rëndë nga muslimanet.
Qeveria franceze, e mbështetur nga shumë qytetarë, e konsideron sulmin me thikë ndaj mësuesit si një sulm ndaj lirisë së fjalës, dhe tha se do të mbronte të drejtën për t’i shfaqur në publik karikaturat.
Zoti Macron e quajti mësuesin një hero dhe premtoi se do të luftonte “separatizmin islamik”, duke thënë se ky fenomen po kërcënonte të merrte kontrollin në disa bashkësi myslimane të Francës.
Ministria e jashtme e Francës lëshoi të martën këshilla sigurie për qytetarët francezë në Indonezi, Turqi, Bangladesh, Irak dhe Mauritani, duke i këshilluar ata të tregojnë kujdes. Ajo i porositi francezët jashtë vendit të qëndrojnë larg çdo proteste dhe të shmangin çdo tubim publik.
PARALAJMËRIMI NË INSTAGRAM
Ramzan Kadyrov, udhëheqësi i shumicës myslimane në rajonin e Çeçenisë në Rusi, iu drejtua zotit Macron me një postim në Instagram.
“Ju po i detyroni njerëzit t’i hyjnë rrugës së terrorizmit, duke mos u lënë atyre asnjë zgjidhje, duke krijuar kushtet për rritjen e ekstremizmit në kokat e të rinjve. Ju mund ta quani veten me krenari udhëheqës dhe frymëzues të terrorizmit në vendin tuaj”, shkruante Kadyrov.
Një zyrtar i presidencës franceze reagoi duke thënë: “Ne nuk do të frikësohemi. I paralajmërojmë ata që mbjellin urrejtje, si në rastin e Kadyrov, se kjo është e papranueshme”.
Karikaturat e Profetit Muhamet u botuan fillimisht vite më parë nga një revistë satirike franceze, Charlie Hebdo, zyrat e së cilës u sulmuan në vitin 2015 nga persona të armatosur që vranë 12 njerëz.
Që nga vrasja e mësuesit Paty, francezët kanë protestuar në shenjë solidariteti, kanë shfaqur karikaturat në rrugë, dhe i kanë projektuar ato në një ndërtesë të një qyteti. Zyrtarët francezë kanë mbyllur një xhami të Parisit që ata thonë se ka ndezur zemërimin ndaj karikaturave.
Presidenti turk Reccep Tajip Erdogan u bëri të hënën thirrje bashkatdhetarëve për të mos blerë mallra franceze dhe akuzuoi Francën se po ndjek një axhendë kundër fesë islame.
Thirrjet për bojkot të mallrave franceze ishin në trend gjatë gjithë fundjavës në mediat sociale në Arabinë Saudite, por zyrtarët nuk i kanë mbështetur ato, duke u shprehur për një qasje të matur.
Një zyrtar i ministrisë së jashtme saudite tha të martën se qeveria dënonte çdo akt terrorizmi, një referencë e dukshme për vrasjewn e mësuesit Paty.
E përditshmja Arab News citonte të martën kreun e Lidhjs Botërore Myslimane me bazë në Arabinë Saudite, Mohammed al-Issa, i cili paralajmëronte se çdo reagim i tepruar “është negativ dhe shkon përtej asaj që është e pranueshme”. Nga kjo përfitojnë vetëm urrejtësit, tha ai.
Franca ka qenë në gatishmëri të lartë pas vrasjes së mësuesit. Zonat përreth Harkut të Triumfit dhe Kullës Eifel në qendër të Parisit u evakuuan të martën për pak kohë, pas disa alarmeve për sigurinë. Nuk ka prova se sinjalizimet për alarmin kishin ndonjë lidhje me çështjen e karikaturave.