Kryeministri Edi Rama ka shfaqur siguri ndaj flukseve migratore që mund të përfshijnë vendin tonë. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së punës operacionale të misionit Frontex në Shqipëri, Rama u shpreh se Shqipëria edhe pse e vogël ka pritur 500 mijë refugjatë lufte nga Kosova.
“Falë jush dhe përmes jush ne do të jemi në gjendje t’i tregojmë miqve tanë të BE edhe më mirë, edhe me më shumë fakte dhe prova të pakundërshtueshme shprehjen e vullnetit tonë të palëkundur për të qenë në këtë copëz të vogël të Evropës një partner i besueshëm dhe një vend tërësisht i besueshëm edhe në aspektin e kësaj sfide evropiane të përballimit me flukset migratore dhe me emigracionin e paligjshëm.
Nisja e zbatimit të këtij projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor përbën një arsye për të qenë të vetëdijshëm sesa e rëndësishme është të kemi sukses në këtë projekt edhe në funksion të zgjerimit të projektit me vendet e tjera.
Me këtë marrëveshje Shqipëria kthehet në një kontributor, por edhe në luftën kundër krimit të organizuar e vendos Shqipërinë në një pozicion më të veçantë sesa deri më sot, qoftë në aspektin e dhënies së kontributit, qoftë edhe në aspektin e përfitimit nga pjesëmarrja në këtë projekt
Përfitimet në fakt janë disa, pasi marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit më të afërt sa i përket shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut dhe përballimit të flukseve migratore nga vende të treta.
Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve të migracionit 6.7 herë më shumë në 2018 krahashuar me 2017 dhe 26.4 % më shumë këtë vit në janar krahasuar me një vit më parë.
Ne nuk jemi një vend ku ata që vijnë shihen si rrezik dhe nuk jemi një vend ku janë dëgjuar klithma për shkak të prurjeve nga vendet e tjera, por jemi një vend që jo shumë larg në kohë ka strehuar kryesisht këtu në këtë qytet të madh për Shqipërinë, por relativisht të vogël, gjysmë milioni refugjatë lufte. Pa i kërkuar askujt asgjë.
Siç e shikoni jemi këtu, jemi gjallë, jemi shumë më mirë seç ishim në atë kohë dhe kemi të shënuar në librin e historisë sonë një faqe për të cilin jemi krenare. Jemi krenarë edhe për një faqe tjetër kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj pas luftës së dytë botërore, sesa para luftës.
Shqipëria u bë streha nga ku asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë hebre nuk ju dorëzua nazistëve”.
Gjithashtu kryeministri shtoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë një partner i besueshëm për aleatët e saj, ndërsa kujtoi se të huajt kur vijnë në vendin tonë nuk priten me kambanë alarmi, por me admirim sepse shtoi ai, kjo për shkak të traditës sonë kombëtare e trashëguar ndër breza.