Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të përfaqësojë Kosovën në samitin midis Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.
Gjatë një takimi në Prishtinë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Sznunyog, i dorëzojë Osmanit kopjen fizike të ftesës nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha zyra e presidentes së Kosovës.
“Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të BE-së për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit”, u tha në njoftimin.
Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.