Analistët vlerësojnë se retorika e tyre si dhe zotimet shkojnë në favor të fushatës për zgjedhjet parlamentare. “Për të qenë më konkret ata të cilët mbase vërtetë mundë të zhvillojnë një fushatë presidenciale janë VMRO-DPMNE dhe LSDM. Pasi që objektivisht, vetëm kandidatët e tyre mundë të kalojnë në raundin e dytë, të gjithë kandidatët e tjerë faktikisht ndihmojnë partitë apo koaliconet e tyre për zgjedhjet parlamentare”, thonë ata
Xhenur ISENI
Shkup, 11 prill – Fushata presidenciale po intensifikohet gjithnjë e më shumë, sidomos në kampion politik shqiptar. Shumica e analistëve besojnë se vetëm te kampi politik maqedonas po zhvillohet fushatë presidenciale, ndërsa te ajo shqiptare meqenëse kandidatët e dinë se nuk mund të kalojnë në raundin e dytë, më shumë po zhvillojnë fushatë parlamentare.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, qartazi është kandidat për president, Kryeministër, Kryeparlamentar dhe Prokuror shtetëror, Tha kandidati presidencial I LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, duke i bërë thirrje liderit të opozitës për duel televiziv. “Isha i pari që propozova master debatin, që të shtatët të përballemi para mediave. Por, u refuzova nga opozita. Sonte dua të propozoj të kemi një duel të vërtetë dhe real. Propozoj që të dalim në duel me Mickoskin, për shkak se është e qartë se ai është kandidati për president. Zonjën Siljanovska nuk e shohim ku është”, tha Pendarovski.
Me LSDM-në në pushtet, Maqedonia u bë shteti i rasteve sociale. Ishte ky mesazhi i kandidates presidenciale të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova nga mitingu në Gjorçe Petrov. “Më ndihmoni që t`u dëshmoj se ka variante më të mira. Se këtu ka njerëz që përveç se dijnë dhe besojnë janë të gatshëm të sakrifikojnë. Turp është të mendojmë se krimi dhe korrupsioni janë dukuri natyrore. Jo! Ata janë katastrofë, janë si epidemi, fatkeqësi natyrore. Duhet të bëjmë diçka që t`i largojmë”, tha Siljanovska.
Karvani i kandidatit presidencial, Maksim Dimitrievskit, nga Lëvizja “Znam” ka vizituar rajonin e Pollogut.
Gjatë një fjalimi në Tetovë, Dimitrievski, tha se presidentët e deritashëm kanë qenë besnik ndaj partive që i kanë nominuar e jo ndaj qytetarëve. Kjo, sipas tij, duhet të ndryshohet.
“Erdhën kohë të pakohë në Maqedoni, 30 vite e njëjta gjë. Vjen njëri, shkon tjetri nga 4 apo 8 vite.Fakt është se jemi para një akti historik. Qytetarët ndoshta duan të ndryshojë kjo situatë. Gjatë historisë, asnjë president I këtij shteti, me përjashtim të disa individëve, nuk i thanë JO subjekteve politike. Maqedonia meriton president për qytetarët”, tha Dimitrievski.
Kandidatja presidenciale e të Majtës Biljana Vankovska, ka qëndruar në Negotinë. Gjatë një prononcimi për mediat ka deklaruar se punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara dhe vreshtarët janë duke luftuar për ndryshime. “Natyra ka dhuruar për rajonin e Tikveshit, por jo edhe pushteti që ka fshirë cdo shpresë të popullit punëdashës të Negotinës. Shkatërimi tendencioz i kapaciteteve të fabrikave, krijoi hapësirë për prosperimin e oligarkëve lokal. Në këtë mjedis, punëtorëve u mbetet vetëm të luftojnë me inat kundër trajtimin nënçmues të eksploatorëve”, tha Vankovska.
Kandidati presidencial I koalicionit që udhëhiqet nga partia “Grom”, Stevço Jakimovski, ka qëndruar në rajonin e Kavadarit. Ai është zotuar se do t`i mbrojë bujqit e këtij rajoni. “Do të angazhohem për hapjen e tregjeve të reja, duke marrë parasysh se me luftën në Ukrainë, bujqit e Maqedonisë kanë humbur tregun bjellorus dhe rus, por shihet qartë se as Qeveria e as presidenti nuk janë të interesuar se ku mund të plasohen produktet bujqësore”, tha Jakimovski.
Ndërkaq, kandidati për president nga radhët e Frontit Europian Bujar Osmani për emisionin “Pressing”, ka theksuar rëndësinë e ndryshimit pozitiv për komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Duke u shprehur kundër platformave politike që bazohen vetëm në opozicion ndaj të tjerëve, Osmani ka vënë në dukje se shqiptarët e Maqedonisë kanë përjetuar një përmirësim të dukshëm në jetën e tyre gjatë 22 viteve të fundit. Osmani ka kujtuar se si, para dy dekadash, shqiptarët ishin përjashtuar nga institucionet publike dhe shtetërore, duke zënë vetëm 0.2 për qind të tyre. Sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht, me shqiptarët që jo vetëm që janë pjesë e këtyre institucioneve, por edhe i udhëheqin ato.
“Në historinë e pluralizmit politik nuk ka fituar një platformë e cila të vetmin narrativ e ka kundër dikujt tjetër. Këtu është narrativi ta rrënojmë BDI-në, ta rrënojmë Ali Ahmetin. Njerëzit kërkojmë kredibilitet. Kjo narrative te shqiptarët e Maqedonisë nuk funksionon, edhe pse ka dhe shumë punë për t’u bërë shqiptarët kanë jetuar vitet më të mira në historinë e tyre, nga një popull i përjashtuar që kemi qenë para 22 viteve. Mos harrojmë se kemi qenë vetëm 0.2 për qind në institucione publike dhe shtetërore, sot jemi popull i kryeministrit shqiptar, institucione në të cilat ne nuk kemi mundur të kërkojmë shërbime, ose ndihmë për diskriminim, sot ne i udhëheqim ato institucione. Më kujtohet kur si kryetarë i OSBE-së hyra në zyrëne OSBE-së në Tetovë dhe thash se shqiptarët këtu kanë hyrë vetëm për të bërë ankesa për diskrminimin që është bërë, dhe sot një shqiptar i Maqedonisë së Veriut vjen si kryesues i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë. Ky është ndryshimi thelbësor që është bërë”, tha Osmani.
Ndryshe, mitingjet, tubimet dhe takimet me qytetarë të kandidatëve presidencial tashmë kanë hyrë në javën e dytë. Analistët vlerësojnë se retorika e tyre si dhe zotimet shkojnë në favor të fushatës për zgjedhjet parlamentare. Analisti politik, Murat Aliu thotë se mbajtja e zgjedhjeve të përbashkëta, pra të njëkohshme ka si aspekte pozitive ashtu edhe negative. Kësisoj, sipas tij, një nga efektet negative të kësaj është gërshetimi ose përzierja e garës presidenciale me atë parlamentare. “Shikuar nga ky këndvështrim fushatën parazgjedhore vërehet shumë qartë që narrativët janë përzier. Qytetarët e kanë të vështirë të kuptojnë dhe të bëjnë një ndarje ndërmjet këtyre narrativëve. Por nga ana tjetër duke shumë qartë që të gjithë partitë politike kryesisht janë të fokusuara në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Madje ato raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale e shohin si një mundësi e mirë për të përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Brenda partive politike mbizotëron mendimi se një rezultati i favorshëm në raundin e parë për kandidatët e tyre për president do të përcaktoj edhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe duke qenë kështu faktikisht tani po zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Për të qenë më konkret ata të cilët mbase vërtetë mundë të zhvillojnë një fushatë presidenciale janë VMRO-DPMNE dhe LSDM. Pasi që parë objektivisht, vetëm kandidatët e tyre mundë të kalojnë në raundin e dytë, të gjithë kandidatët e tjerë faktikisht ndihmojnë partitë apo koalicionet e tyre për zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar Murat Aliu, analist. (koha.mk)