Ministrat e jashtëm që përfaqësojnë Grupin e 7 vendeve më të industrializuara po zhvillojnë takime në Londër për një sërë çështjesh botërore, përfshi marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë, grushtin e shtetit në Mianmar, konfliktin sirian dhe situatën në Afganistan
Britania, vendi pritës, ka paralajmëruar se aktivitetet gjithnjë e më agresive të Rusisë, Kinës dhe Iranit paraqesin një sfidë për shoqëritë demokratike dhe rendin ndërkombëtar.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Dominic Raab tha se presidenca e Britanisë këtë vit e G-7ës “është një mundësi për të bashkuar shoqëritë e hapura dhe demokratike për të demonstruar unitet në një kohë kur është shumë e nevojshme të trajtohen sfidat e përbashkëta dhe kërcënimet në rritje”.
Diplomatët kryesorë nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia po zhvillojnë bisedime dy ditore me një axhendë që përfshin grushtin e shtetit në Mianmar, krizën Tigray në Etiopi dhe situatën e pasigurt në Afganistan, ku trupat amerikane dhe aleatët e NATO-s po përfundojnë një dislokim prej dy-dekadash.
Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se grupi do të diskutojë gjithashtu “veprimtarinë e vazhdueshme keqdashëse të Rusisë”, përfshirë dislokimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën dhe burgosjen e politikanit të opozitës Alexei Navalny.
Ministrat e G-7 gjithashtu do të përpiqen të bien dakord mbi një mënyrë për t’i bërë të disponueshme vaksinat e koronavirusit në të gjithë globin. Vendet e pasura kanë hezituar të japin vaksina pa imunizuar popullsitë e tyre.
Organizatorët kanë ndërmarrë hapa për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në takimin e Londrës, duke përfshirë vendosjen e barrierave plastike mes pjesëmarrësve dhe vënien në dispozicion të testeve të koronavirusit në ambjentet e takimeve.
Sekretari Raab, i cili zhvilloi bisedime paraprake me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken të hënën, pritet të nxisë anëtarët e G-7ës të sanksionojnë individë dhe subjekte të lidhura me juntën ushtarake të Mianmarit, të mbështesin embargon e armëve dhe të rrisin ndihmën humanitare për popullin e Mianmarit.
“Për Mianmarin, duam të shohim përfundimin e dhunës. Duam të shohim që regjimi ushtarak të kthehet tek demokracia dhe tek mandati elektoral që qeveria duhet të ketë për të përfaqësuar popullin e Mianmarit. Kemi qenë të qartë jo vetëm për sanksionet tona, sanksionet sipas ligjit Magnitsky, por edhe për masat më të gjera që kemi marrë për të ndaluar kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar që të bëjnë biznes me konglomerate ose biznese të kontrolluara nga ushtria e Mianmarit, dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion në këtë drejtim”, tha sekretari britanik.
Sekretari Raab tha se gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Britania po kërkojnë mënyra konstruktive për të punuar me Kinën kur është e mundur “në një mënyrë të arsyeshme dhe pozitive” për çështje që përfshinë ndryshimin e klimës.
Presidenti amerikan Joe Biden e ka identifikuar konkurrencën me Kinën si sfidën më të madhe të politikës së jashtme të administratës së tij. Në fjalimin e tij të parë në Kongres javën e kaluar, ai u zotua të ruajë një prani të fortë ushtarake amerikane në Indo-Paqësor dhe të forcojë zhvillimin teknologjik të Shteteve të Bashkuara.
Muajin e kaluar, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara për veprimet agresive të Kinës kundër Tajvanit dhe paralajmëruan se do të ishte një “gabim i rëndë” për këdo që do të përpiqej të ndryshonte status quo-në në Paqësorin perëndimor me forcë.
Gjatë takimit të hënën në Londër, Sekretari Blinken tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen diplomatikisht me Korenë e Veriut për të arritur qëllimin përfundimtar të denuklearizimit të Gadishullit Korean, pas përfundimit të një rishikimi një mujor të politikave amerikane ndaj Koresë së Veriut.
“Ajo që kemi tani është një politikë që kërkon një qasje të kalibruar, praktike që është e hapur dhe do të eksplorojë diplomacinë me Korenë e Veriut në përpjekje për të bërë përparim praktik që rrit sigurinë e Shteteve të Bashkuara, aleatëve tanë dhe forcave tona të dislokuara. Dhe ndërsa po e bëjmë këtë, ne do të vazhdojmë të jemi në koordinim dhe konsultim shumë të ngushtë me aleatët dhe partnerët, duke filluar me Republikën e Koresë së Jugut dhe Japoninë, si dhe të tjerët” .
Shtetet e Bashkuara pritet gjithashtu të caktojnë një të dërguar të posaçëm për çështjet e të drejtave të njeriut të Koresë së Veriut.
Takimi i së martës vjen në prag të samitit të liderëve të G-7 të planifikuar të zhvillohet në qershor, po në Britani.