Ish-Kryeministri, Sali Berisha, ka komentuar për herë të parë për Ora News, vendimin e Gardës së Republikës për ti hequr mbrojtjen ligjore.
Berisha tha se kjo është një hakmarrje e Edi Ramës, por ai është më i fortë dhe më i sigurtë se kurrë mes qytetarëve.
Berisha: Ndihem më i fortë dhe më i motivuar se kurrë. Një gjest frikacak dhe hakmarrës i Edi Ramës por unë jam mes qytetarëve më i fortë se kudo tjetër. Do të vazhdoj çdo minutë, çdo orë, çdo javë, çdo muaj betejën deri në çmontimin e narkoshtetit në Shqipëri derisa shqiptarët të votojnë të lirë siç u takojnë.
I vendosur nën hijen e godinës së ish-të përndjekurve dhe i rrethuar nga truprojat e tij, Berisha komentoi për gazetaren e Ora News, Fjorela Beleshi, edhe anulimin e seancës plenare, duke u shprehur se kjo ishte mbathja e dytë e Gramoz Ruçit pas ’96-ës.
Berisha: Demonë të pushtetit po dëshmojnë se janë në grahmat e fundit. Regjimi kakitostratik nuk ka të ardhme. Nga ana tjetër në rrafshin personal kjo është mbathja e dytë e Gramoz Ruçit. Ja mbathi njëherë në 1996 me rrobat e të shoqes, kaloi në Kakavijë, ma sollën dhe filmimet por nuk desha ta turpëroj, dje bëri të njëjtën gjë. E mbylli dhe ja mbathi.
Sakaq Berisha tha se mirëkupton deklaratat e ndërkombëtarëve lidhur me vendimmarrjen e opozitës për djegien e mandateve.
Berisha: Komiteti ndërkombëtar është jashtë çdo lloj mendimi se mund të mbështet aktin e deputetëve të opozitës. Por deputetët e opozitës e bënë atë në emër të vlerave në mënyrë që të mos qëndrojnë si fasadë në një parlament ku ka kriminelë, vrasës, trafikantë më shumë se në çdo kumunitet tjetër, vendosën të mos qëndrojnë me ta por të dalin te qytetarët për tu kthyer shqiptarëve votën e lirë dhe për të çmontuar narkoshtetin.
I pyetur sesi e ndjen veten pa asnjë funksion pas 28 vitesh, Berisha tha: “Më mirë se kurrë”.