Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, që të dënojnë dhunën e ushtruar nga policia ndaj gazetarëve protestave të rinisë që kanë shpërthyer në vend prej 5 ditësh, si shenjë revolte ndaj vrasjes kriminale të 25-vjeçarit Klodian Rasha pikërisht nga efektivët e policisë.
Në reagim theksohet se pas gazetarit të “Rtv Ora” Xhoi Malësia, shoqërimi i kryeredaktorit të gazetës “Koha Jonë”, Qamil Xhani, dhunimi i gazetarit të “Syri TV” në Durrës, Aldo Mustafa, dhe po në Durrës, i punonjësit të medias “Durrës Lajm” Shefqet Duka, janë raste që po denoncohen çdo ditë, si sjellje e pandryshuar e policisë.
Deklarata e plotë
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, dënojnë me forcë aktet e përsëritura të dhunimit të gazetarëve në krye të detyrës nga policia, gjatë protestave të këtyre ditëve.
Është e papranueshme që gazetarë e punonjës të medias të ndalohen, edhe pse u identifikohen policisë; të dhunohen e shoqërohen sepse po bëjnë detyrën, pra pasqyrimin e ecurisë së protestave. Këto janë sjellje arbitrare e antiligjore të policisë.
Pas gazetarit të “Rtv Ora” Xhoi Malësia, shoqërimi i kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani, dhunimi i gazetarit të “Syri TV” në Durrës Aldo Mustafa dhe po në Durrës, i punonjësit të medias “Durrës Lajm” Shefqet Duka janë raste që po denoncohen çdo ditë, si sjellje e pandryshuar e policisë.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu, që të shprehen publikisht kundër dhunës e pengimit të gazetarëve e medias në përgjithësi për të bërë detyrën, pasqyrimin e asaj çfarë ndodh në protesta; të nxisin nxjerrjen e ndëshkimin e përgjegjësve të dhunës ndaj punonjësve të medias.
Në këtë rast, heshtja juaj është inkurajim i sjelljes së padenjë të policisë në shkelje të hapur të lirisë për të kryer detyrën në një shtet demokratik.