Ambiciet e Bullgarisë në sektorin e gazit janë po aq të mëdha saç janë edhe problemet për realizimin e tij. Kjo u bë e qartë nga ngjarjet që shoqëruan zbatimin e projektit të tubacionit të gazit, Turk Stream, dhe shtrirjen e tij përmes Bullgarisë drejt Europës Qendrore, i cili u emërua nga kryeministri Boyko Borissov si Balkan Stream.
Por një intervistë e zv.sekretarit të Shtetit amerikan për Çështjet Politike, David Hale, e transmetuar në valët radiofonike të Radios Kombëtare Bullgare, shkaktoi një stuhi të vërtetë mediatike.
Vetëm tre ditë pas hapjes zyrtare të projektit Turk Stream nga liderët e katër vendeve që marrin pjesë në projekt: Turqia, Rusia, Bullgaria dhe Serbia, diplomati amerikan u shpreh se Uashingtoni ishte kundër gazsjellësit të dytë Turk Stream përmes Bullgarisë, sepse ky shtet e shikonte këtë si një projekt gjeostrategjik të Rusisë.
“Moska i përdor burimet e saj të energjisë si mjete politike për të ushtruar ndikimin e saj dhe për të përçarë Europën. Nord Stream 2 dhe Gazsjellësi i Dytë, Turk Stream, shihen si një problem, sepse ato nuk sigurojnë diversifikimin e energjisë për Europën’. Sidoqoftë, David Hale e mirëpriti vendimin e kabinetit bullgar për të marrë 20% të aseteve të kompanisë Gastrade S.A., e cila po ndërton terminalin LNG afër qytetit grek të Aleksandropolisit.
Bullgaria synon të marrë gaz nga Katari dhe SHBA-ja përmes këtij terminali. Zv.sekretari i Shtetit për Çështjet Politike të Shteteve të Bashkuara, David Hale, tha se kjo do të ndikojë në përmirësimin e diversifikimit të gazit në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Bullgaria ka ambicien të shndërrohet në qendrën europiane të gazit dhe t’u sigurojë gaz nga burime të ndryshme, të gjitha vendeve të interesuara europiane. Deri më tani, vetëm gazi rus kalon në këtë vend dhe Balkan Stream nuk do ta ndryshojë situatën.
Kohët e fundit, ambasadori amerikan në Sofje, Herro Mustafa, tha se në projektin Turk Stream, Bullgaria luan rolin e një vendi tranzit dhe nuk përfiton në mënyrë të konsiderueshme prej tij, sepse ajo paguan për ndërtimin e gazsjellësit të dytë në territorin e saj, duke e tejkaluar shumën prej 1.1 miliardë eurosh.
Në skenarin më të mirë, ky investim do të shlyhet në një periudhë 5 deri në 6-vjeçare. Kjo është arsyeja se përse shumë ekspertë të ekonomisë nuk besojnë në përfitimet që do të sjellë realizimi i këtij projekti.
Analistët e kompanisë këshilluese të Europës në zhvillim pohojnë se Turk Stream do të ketë si efekte pozitive, ashtu edhe negative në Europë, por me siguri do të jetë një pengesë drejt pavarësisë energjetike të BE-së.
Ecuria e ndërtimit të gazsjellësit të dytë, Turk Stream, në territorin bullgar ka shkuar sipas planeve dhe pritet që të përfundojë në maj të këtij viti. A do të vendosë Sofja të kundërshtojë Uashingtonin, ashtu si veproi Gjermania për Nord Stream 2, apo ndërtimi i Balkan Stream do të ndalet nën presionin e huaj?
A nuk është pak vonë për të ndaluar përfundimin e një projekti që është në gjysmë të rrugës së tij dhe të shpërdorosh shuma të larta parash që janë shpenzuar tashmë?
Megjithatë, askush nuk mund të japë përgjigje të sakta në këtë drejtim. Sidoqoftë, zv.sekretari i Shtetit për Çështjet Politike të Shteteve të Bashkuara, David Hale, riafirmoi angazhimin e SHBA-së për të vazhduar mbështetjen e saj në modernizimin e forcave të armatosura bullgare dhe për ta ndihmuar këtë vend të forcojë sundimin e shtetit ligjor dhe të ndërtojë një rrjet komunikimi 5G, të mbrojtur nga manipulimet.
A do të arrijë Sofja të krijojë një balancë ndërmjet dy fuqive të mëdha, të cilat aktualisht janë në një përballje të ashpër për një seri çështjesh globale dhe rajonale?
Bullgaria duhet të gjejë formulën magjike që do ta ndihmojë atë të ruajë marrëdhëniet normale me të gjitha vendet e tjera. Sidoqoftë, kjo nuk do të jetë sipërmarrje aspak e lehtë.