Presidenti Ilir Meta përshëndeti sot fillimin e furnizimit me gaz natyror të Evropës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.
Meta vlerësoi se TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve evropianë dhe SHBA-ve me qeverinë e Azerbajxhanit.
“Përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rriti ndjeshëm pavarësinë e Evropës nga gazi rus”, shtoi Meta.
Presidenti theksoi se “projekti TAP e përfshiu Shqipërinë në hartën e infrastrukturës energjetike strategjike evropiane, veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë sfiduese ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane dhe euroatlantike”.