T’i japim fund një Evrope të kategorisë A dhe një Evrope të kategorisë B, përndryshe do të përfundojmë si ”Titaniku”, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni lidhur me ftesën e presidentit francez, Emmanuel Macron për homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, pak orë përpara Këshillit Evropian, ftesë që ajo e konsideron të pavend.
”Përndryshe do të përfundojmë si ‘Titaniku’, sepse nëse anija fundoset, do të fundosemi të gjithë, pavarësisht se sa e kemi paguar biletën”, shtoi ajo.
”Emmanuel Macron gaboi politikisht”, tha ajo në konferencën e saj të parë për shtyp në Bruksel që kur ka drejtuar qeverinë.
Giorgia Meloni nuk e fsheh se marrëdhëniet mes Italisë dhe Francës kanë ndryshuar.
“Kur Italia nuk është dakord, duhet ta thotë këtë. Të qenit në një foto nuk mjafton për të thënë se jemi edhe ne në mes të problemit”, theksoi Meloni.
”Ishte gabimi i Francës që nuk na përfshiu me Zelenskyn duke qenë se ekziston edhe një traktat për këtë”, tha ministri i Jashtëm, Antonio Tajani.
”Arroganca e Macronit është e pakuptueshme”, shtoi dozën zëvendëskryeministri Matteo Salvini.
”Pozicioni i Italisë është jashtëzakonisht i qartë dhe konsistent ndaj Ukrainës me një angazhim 360 gradë që ka të bëjë me frontin financiar, ushtarak dhe civil dhe ia përsërita këtë Zelenskyt me të cilin fola”, tha Meloni.
“BE beson se do të qëndrojë përkrah Kievit me të gjitha mjetet e nevojshme. Përsërita disponueshmërinë tonë të plotë për Volodymyr Zelensky, por ishte e rëndësishme që Këshilli Evropian në tërësi ta bënte këtë përtej shteteve”, theksoi ajo.
”Zelensky është i interesuar për praninë tonë në Kiev dhe më ka ftuar sërish, po shohim se si ta organizojmë vizitën”, shtoi kryeministrja.
”Do të kisha preferuar që Zelensky të ishte i pranishëm edhe në Sanremo. Më vjen keq për polemikën që ka lindur. Nuk është kurrë e lehtë të futësh politikën në një ngjarje si Sanremo. Unë mendoj se prania e tij ishte e rëndësishme”, tha ajo.