Sot gjashtë vite më parë, më 17 qershor të vitit 2018, në bregun e liqenit të Prespës nga pala greke, Shkupi dhe Athina nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, e cila mbylli mosmarrëveshjen e gjatë mes dy vendeve. Republika e Maqedonisë e ndryshoi emrin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke hapur rrugën për integrimin Euroatlantik.
Marrëveshja u nënshkrua në periudhën kur në pushtet ishte SYRIZA në Greqi dhe LSDM në Maqedoninë e Veriut, dhe u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, në praninë e kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, mediatorit negociues Methju Nimic, ish-komisionerit për Zgjerimin e BE-së Johanes Han dhe ish- Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë dhe Siguri, Federika Mogerini dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të dy vendeve.
Tetë muaj pas nënshkrimit dhe pas ratifikimit në Kuvendin e Maqedonisë dhe në Parlamentin grek, Marrëveshja hyri në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019.
Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë u riemërua Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia maqedonase/shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore dhe gjuha maqedonase.
Vendi u bë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe pjesërisht iu hap rruga për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Zgjidhjes së kontestit i paraprinë negociatat që zgjatën për 27 vjet, periodikisht ato ishin me ritme të shtuara dhe takime më të shpeshta, por kishte edhe periudha kur ato ishin në ngërç dhe ndërprerje, por gjithmonë përfundonin pa një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, derisa në fund të vitit 2017 kur bisedimet u intensifikuan pas një ngecjeje thuajse trevjeçare dhe u arrit Marrëveshja.
Ish-kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, organizojnë Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm
Ish-kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, organizojnë Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Athinë me rastin e gjashtë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Ngjarja organizohet nga “Fondacioni Zaev” dhe “Instituti Aleksis Tsipras”.
Në debatin për Marrëveshjen e Prespës, ku morëm pjesë unë dhe Alexis Tsipras, u dërgova një mesazh të qartë kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Mitsotakis dhe Mickoski, që të marrin përgjegjësinë për zbatimin dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, shkruan Zaev në rrjetet sociale.
“Mickoski të tregojë lidership dhe të respektojë rregulloren e Prespës, pasi deklaron publikisht se do ta respektojë Traktatin.\n Por nëse nuk e përdor emrin kushtetues të vendit tonë, ai jo vetëm që u jep shembull qytetarëve duke shkelur Kushtetutën, por në këtë mënyrë ai do të shkelë një traktat ndërkombëtar dhe në këtë mënyrë do të rrezikojë procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, theksoi ish-kryeministri maqedonas Zoran Zaev
Edhe Ish-kryeministri grek Alexis Tsipras deklaroi në Konferencën Ndërkombëtare për Paqen dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në Athinë se rastësia e një qeverie progresive në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi ishte thelbësore për arritjen e marrëveshjes.
Ai shtoi se edhe para ndryshimit të qeverisë në vend, ish-kryeministri grek Nikos Kozias ishte optimist se do të mund të bisedohej me Zoran Zaev.
“NATO ishte një nxitje për suksesin e marrëveshjes, por nuk ishte arsyeja kryesore. Nga marrëveshja përfitojnë Greqia, Maqedonia e Veriut dhe rajoni. Nëse do të ishte vetëm për NATO-n, ndoshta qeveritë konservatore do ta kishin zgjidhur atë. E bëmë sepse besojmë se është për të mirën e qytetarëve”, tha Tsipras.
Si janë marrëdhëniet Greqi-Maqedoni e Veriut sot gjashtë vite më pas?
Gjashtëvjetori i arritjes së Marrëveshjes së Prespës, më 17 qershor 2018, i gjen dy vendet të tensionuara, sidomos pas 12 majit, kur presidentja e re maqedonase, Gordana Siljanovska Davkova, nuk e ka përdorur emrin shtetëror të vendit, gjatë ceremonisë së betimit në Parlament.
Pas inaugurimit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova më 12 maj, kur ajo përdori emrin Maqedoni dhe duke qenë se përkonte me periudhën kur filloi fushata parazgjedhore për zgjedhjet evropiane në fqinjin jugor, Marrëveshja e Prespës u përditësua në Greqi dhe për një periudhë më të gjatë ishte një nga temat kryesore në vend, e cila u trajtua në një sërë intervistash dhe fjalimesh nga kryeministri grek Kiriakos Micotakis, lideri i opozitës SYRIZA Stefanos Kaselakis, si dhe përfaqësues të qeverisë në Athinë.
Mesazhet nga Athina në Shkup ishin se Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet respektuar, se emri i vendit është Maqedonia e Veriut erga omnes, pra për përdorim të përgjithshëm, se perspektiva e vendit në BE domosdoshmërisht kalon përmes Greqisë.
“Prisja një urim nga fqinji jugor për triumfin bindës, por fatkeqësisht hasëm në muskuj politik”, komentoi kryetari i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, një javë pas zgjedhjeve të dyfishta në vendin tonë, duke pasur parasysh se Athina zyrtare nuk dërgoi urim për zgjedhjen e presidentes së re.
Lidhur me përdorimin e emrit Maqedonia dhe emrit Maqedonia e Veriut, presidentja Siljanovska Davkova dhe Mickoski kanë përsëritur disa herë dhe kanë shpjeguar se e respektojnë Marrëveshjen e Prespës si marrëveshje ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë kanë të drejtë individuale dhe njerëzore se si ta emërtojnë shtetin e tyre.
Menjëherë pas inaugurimit dhe reagimeve nga Athina, Zyra e Presidentes theksoi se Gordana Siljanovska Davkova “ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni në daljet e saj publike, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”, por edhe se do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues.
Këtë qëndrim presidentja e përsëriti dhe e shpjegoi në disa raste dhe e fundit ishte gjatë konferencës për shtyp pas Samitit të vendeve të përfshira në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) kur tha se “nuk mendon se kjo shkel Kushtetutën dhe se mospërdorimi i emrit kushtetues mund të shkaktojë probleme”.
Kryeministri grek i dërgoi mesazh edhe mandatarit Hristijan Mickoski se pret që ai me dhënien e betimit “të japë një deklaratë të qartë se e respekton Marrëveshjen e Prespës dhe se emri i vendit të tij është Maqedonia e Veriut dhe do ta përdorin atë brenda dhe jashtë vendit”, komentoi se “kur dikush zgjidhet kryeministër nuk ka status individual të kryeministrit, sepse kryeministri është organ institucional”.
Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe mandatari I Qeverisë ka shpjeguar se nuk e ka ndërmend të sillet si taleban, por nuk pret që dikush tjetër të sillet në atë mënyrë, duke theksuar se i përmbahen erga omnes për emrin, por edhe se është e nevojshme të bëhet një analizë e thellë e asaj që u përmbush nga Greqia nga Marrëveshja e Prespës.
Retrospektive
Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit të Maqedonisë janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni.
Pavarësisht se Greqia insistonte në ndërrimin e emrit dhe flamurit, më 8 shtator vitit 1991 në Maqedoni u mbajt referendum për shpalljen e pavarësisë dhe më pas më 17 nëntor të po të njëjtit vit Maqedonia e shkruajti emrin në Kushtetutë dhe u deklarua se nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Për shkak se flamuri i Maqedonisë përmbante yllin e Verginës (një diell me tetë cepa), një simbol grek, Maqedonia më pas flamurin e modifikoi, i cili u pranua nga pala greke.
Në vitin 2004, tre nga pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Rusia, SHBA-ja dhe Kina, e njohën Maqedoninë me emrin – Republika e Maqedonisë, megjithatë Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nuk pranuan. Nga ana tjetër 104 shtete tjerë, në mesin e të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova për marrëdhëniet bilaterale e përdornin emrin Republika e Maqedonisë.
Propozimet e OKB-së për të ndryshuar emrin nuk u pranuan nga pala greke, pasi që e njëjta nuk dëshironte që në emërtimin e shtetit fare të përdorej fjala Maqedoni. Andaj, OKB-ja ka vazhduar ta quajë Maqedoninë si Ish Republika Jugosllave e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq Greqia e ka quajtur me emrin e kryeqytetit – Shkupi.
Çështja e emrit, ka hapur për Maqedoninë një sërë problemesh tjera, në mesin e të cilave janë edhe eurointegrimet, problemet e identitetit, historisë apo kulturës.
Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, në vitin 2008-të, çështja e emrit në vend që të zgjidhej u përkeqësua edhe më shumë, pasi që në Samitin e Bukureshtit, Greqia vendosi veto për anëtarësim të Maqedonisë.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE qysh prej 17 dhjetorit të vitit 2005, mirëpo bisedimet për anëtarësim nuk ka mundur t’i nisë për shkak të vetos së Greqisë, vend që ka insistuar në ndryshimin e emrit të shtetit, për shkak të një rajoni që e ka në veri, me emrin “Maqedoni”.
Pas 13 vjet bllokadash, dy vendet patën arritur marrëveshje në Prespë, e cila parashihte ndërrimin e emrin nga “Republika e Maqedonisë” në “Republikë të Maqedonisë së Veriut”.
Greqia, më pas, pati hequr veton dhe dy vjet më vonë, Shkupi është anëtarësuar në NATO, dhe ka bërë hapa drejt BE-së.
Mirëpo, pas zgjedhjeve të fundit që ka mbajtur Maqedonia e Veriut, që ka rezultuar me emrat e rinj në pushtet, Greqia ka paralajmëruar që do të mund të kthejë veton.
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski, ka thënë se Qeveria që do të drejtojë ai do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, por beson që përdorimi i emrit të shtetit “është e drejtë e secilit që ta përdorë ashtu si e ndjen”.
Veç kësaj, Mickoski ka thënë se Qeveria e re do të hartojë një dokument me të dhëna mbi detyrimet që kanë zbatuar dy shtetet, meqë, sipas tij, edhe Athina ka detyrime që duhet të përmbushë.
/Argumentum.al