Mali i Zi është përfshirë prej disa muajsh nga një krizë politike, që nisi me rrëzimin më 20 gusht të qeverisë disa mujore të Dritan Abazoviçit, i cili aktualisht ka një mandat teknik dhe vazhdon me pamundësinë e formimit të një qeverie të re, për shkak të përplasjeve mes shumicës parlamentare dhe presidentit. Në dhjetor të vitit të kaluar, shumica parlamentare miratoi disa ndryshime në ligjin për presidentin, duke e zhveshur atë nga kompetencat për të mandatuar kryeministrin. Një zhvillim i tillë nxiti reagime të ashpra ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që kanë thënë se çdo qeveri e dalë nga një proces i tillë antikushtetues është premisë për kaos.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës Nik Gjeloshaj, kryetar i partisë Alternativa Shqiptare dhe kryetar i komunës së Tuzit, thotë se zgjidhja për situatën e krijuar në vend, janë zgjedhjet e parakohshme.
Zoti Gjeloshaj thotë se do të ishte normale që ato të mbaheshin menjëherë pas plotësimit të vendeve vakant të Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht kjo e fundit është jofunksionale. Nga 7 anëtarë të gjykatës, janë zgjedhur vetëm 3. Gjasat janë që zgjedhja e katër anëtarëve të tjerë të ndodhë së shpejti. Zoti Gjeloshaj thotë se nga katër anëtarët që pritet të zgjidhen, njëri prej tyre duhet t’i takojë pakicave, dhe për këtë, sikurse tha ai, duhet rënë dakord mes partive që përfaqësojnë pakicat. Por kryetari i partisë Alternativa Shqiptare shkoi dhe më tej, duke thënë se sipas tij, ky anëtar duhet të jetë shqiptar dhe një shqiptar i caktuar nga partitë shqiptare, e jo subjekte të tjera politike./voa