Talibanët kontrollojnë gati gjysmën e 420 qendrave të qarqeve në Afganistan, tha shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley.
Talibanët duket se kanë “vrullin strategjik” në ofensivë, por fitorja e tyre nuk është e sigurt, tha ai.
Grupi militant ka intensifikuar luftimet kundër forcave qeveritare prejse trupat ndërkombëtare kanë nisur tërheqjen zyrtare nga Afganistani, më 1 maj.
Ai ka pushtuar territore dhe ka marrë nën kontroll pika kufitare.
Megjithatë, Milley tha se militantët nuk kontrollojnë asnjë nga qytetet kryesore të Afganistanit dhe se ushtria afgane “është duke konsoliduar forcat e saj”, për t’i mbrojtur banorët e qyteteve të mëdha.
Milley tha se më shumë se 200 qendra të qarqeve janë nën kontrollin e talibanëve.
Në fund të muajit të kaluar, Milley ka thënë se talibanët kontrollojnë 81 qendra të qarqeve.
Ushtria afgane është trajnuar dhe pajisur nga Shtetet e Bashkuara dhe vlerësimet tregojnë se ajo e tejkalon numrin e talibanëve, por Milley tha se numrat nuk janë gjithmonë të mjaftueshëm për të fituar një luftë.
“Dy shumëzuesit më të rëndësishëm luftarakë janë vullneti dhe udhëheqja. Kjo tani do të jetë një provë e vullnetit dhe udhëheqjes së popullit afgan, forcave afgane të sigurisë dhe Qeverisë së Afganistanit”, tha Milley.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka thënë këtë javë se “talibanët kanë dëshmuar se ata nuk kanë vullnet dhe synim për paqe”./voa