Nga Danilo Taino*
Në kohën e rikthimit të gjeopolitikës dhe kufijve më pak të hapur, flitet shpesh për pasaportat.
Komisioni Europian në Bruksel ka hapur një hetim mbi gjashtë mijë të ashtuquajtura “pasaportat e arta” që disa nga vendet evropiane kanë dhënë, me pagesë, për individë joevropianë, me dyshimin se disa prej tyre janë kriminelë. Shpjegimi për tregtinë: jo të gjitha dokumentet kanë të njëjtën vlerë.
Me pasaportën e tij, një italian mund të hyjë në 187 vende pa patur nevojë për vizë ose marrjen e saj me të mbërritur në destinacion apo duke udhëtuar me një ETA (Autoriteti Elektronik i Udhëtimit): d.m.th. pa pasur nevojë që qeveria e vendit të destinacionit të japë miratimin. Ashtu si italianët, edhe suedezët, finlandezët dhe danezët mund të hyjnë në 187 shtete me pasaportat e tyre.
Akoma më mirë janë gjermanët dhe francezët: 188 destinacione pa pasur nevojë për asnjë autorizim. Edhe më e mirë akoma për banorët e Singaporit dhe Koresë së Jugut: mund të vizitojnë 189 vende. Në krye të listës janë japonezët, me 190 destinacione pa pasur nevojë për vizë dhe procedura të ngjashme. Të dhënat janë nxjerrë nga Indeksi i Pasaportave, i përpunuar nga Henley & Partners, i cili rregullisht monitoron 199 pasaporta. Pothuajse të gjithë perëndimorët gëzojnë liri të gjerë udhëtimi, me mbi 180 destinacione.
Në të vërtetë, kjo është një liri e monitoruar. Vetë fakti se duhet të kesh me vete një pasaportë për të udhëtuar është në një farë mënyre një kufizim, edhe nëse sot ajo merret si e mirëqenë. Në disa raste shumë konkrete, në disa shtete, frika se mund të privohen nga pasaporta i shoqëron rregullisht udhëtarët. Fakti është se liria për të lëvizur lirisht është një produkt i botës së globalizuar, për uljen e barrierave ndërmjet shteteve. Nga kjo pikëpamje, i ashtuquajturi “globalizimi i parë” ishte më i hapur se ai aktual.
Pas përfundimit të luftërave të Napoleonit, pas Kongresit të Vjenës dhe me rritjen e lëvizjeve të punës në sajë të industrializimit, në shekullin XIX, detyrimi për pasaportë ose dokumente të ngjashme u zhduk në Evropë, por edhe në Japoni, Australi dhe në Amerikë. Vetëm me Luftën e Parë Botërore (për shkak të spiunëve, individëve të huaj dhe kështu me radhë), ky detyrim u rikthye. Për të mos ikur më. Sot, qytetarët me më shumë kufizime janë afganët dhe irakianët: ata hyjnë pa viza në vetëm 30 shtete, pasuar nga somalezët dhe sirianët me 32 shtete. Evoluimi i Indeksit të Pasaportave ndihmon për të kuptuar gjendjen në të cilën është sot globalizimi.
*Corriere della Sera