Qeveria e Kosovës pret që të arrihen tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Nga ekzekutivi kosovar thonë se në samitin e nesërm në Berlin, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për nënshkrimin e ujdive për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.
Megjithatë, nuk bënë të ditur tejkalimin e dallimeve me Serbinë sa i përket referimit të Kosovës në këto marrëveshje, në të cilat negociatat kanë zgjatur rreth dy vite. Nga ana tjetër, dinamizmin e Procesit të Berlinit e mbështesin nga opozita dhe shoqëria civile në Kosovë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress se pas hyrjes në fuqi të këtyre marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi i tregut të përbashkët rajonal, i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave në katër liritë mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor.
Mjekiqi: LDK është në favor të aktivizimit më të madh të Procesit të Berlinit
“Ne si LDK kemi qenë në favor të aktivizimit më të madh të Procesit të Berlinit. Ne e kemi mbështetur si proces që nga fillimi në vitin 2014, kur është nisur kjo iniciativë, sidomos sa i përket tregut të përbashkët rajonal, i cili parasheh katër liritë themelore, siç është liria e lëvizjes, kapitalit dhe shërbimeve. Normalisht se ne vazhdojmë të mbështesim një iniciativë të tillë, ne shpresojmë që do të arrihen marrëveshjet që do të dërgojnë në normalizimin në kuptimin e lëvizjes së lirë”, deklaron Mjekiqi.
Ndërkaq, hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, thotë për KosovaPress se Procesi i Berlinit është më shumë në favor të Kosovës se sa Ballkani i Hapur.
Ai shton se kancelari gjerman Olaf Scholz ka gatishmëri për të çuar përpara Procesin e Berlinit.
Fetahu: Procesi i Berlinit është në favor të Kosovës
“Marrë parasysh se Procesi i Berlinit është proces me një pronësi ndërkombëtare dhe është investim i Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, edhe pse Serbia nuk e njeh Kosovën, konstilacioni se si funksionon Procesi i Berlinit është në favor të Kosovës si shtet i pavarur dhe i cili mëton të zhvillojë tregun rajonal edhe me partnerët regjionalë. Konsiderojmë se tash edhe pas iniciativës së Ballkanit të Hapur dhe ardhjen e kancelarit të ri ka gatishmëri për të çuar përpara këtë proces. Po ashtu ka gatishmëri edhe për një investim më të madh në Procesin e Berlinit. Besoj se takimi i 3 nëntorit do të jetë pasqyrë e mirë për të parë se sa do të dinamizohet ky proces. Marrëveshja me Bosnjën që u arrit për lëvizjen e lirë të qytetarëve tregoi se ky proces ka një lloj incentive dhe dëshiron të jetë në funksion. Do të jetë interesante të shohim edhe si do të rregullohet Tregu i Përbashkët Rajonal. A do të ketë ndonjë sistem të ri, projekt të ri, apo ndonjë lloj metode të re se si do të funksionojë ky treg”, thekson Fetahu.
Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 5 korrik të vitit 2021, nën udhëheqjen e ish- kancelares gjermane, Angela Merkel.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, proces ky i filluar në 2014.