Në një ceremoni të përbashkët, Ambasadori Gjerman Peter Zingraf, i Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Alexis Hupin, Ministrja e Arsimit znj. Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj dhe Drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Shqipëri znj. Brit Horschke morën pjesë në ceremoninë nismëtare të rinovimit me efiçencë energjetike të konvikteve të kampusit të Qytetit Studenti I. Projekti siguron financim prej 30 milionë euro në kredi dhe grante nga qeveria gjermane përmes Bankës për Zhvillim KfW dhe 4.78 milionë euro si një marrëveshje granti e ofruar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)
Objektivi i projektit është rehabilitimi me efiçencë energjetike i 19 konvikteve sipas standardit të BE-së “Energji gati zero” dhe ndërtimi i të paktën 3 ndërtesave të reja sipas të njëjtave standarde. 4.700 studentë do të përfitojnë nga kushtet e përmirësuara ndjeshëm të jetesës në konvikte.
Përmirësimet në infrastrukturën e konvikteve do ta ulin konsumin e energjisë mesatarisht me 20% krahasuar me nivelet aktuale. Ato gjithashtu do të promovojnë infrastrukturën sociale për studentët pa të ardhura. Minimumi 70% e kapacitetit të konvikteve të rehabilituara do të zihet nga studentë me të ardhura të ulëta. Faza e parë konsiston në punime ndërtimi për një grup prej 5 ndërtesash, të cilat pritet të përfundojnë brenda 9 muajve.
Ambasadori Zingraf nënvizoi se për Gjermaninë ka një rëndësi të veçantë mbështetja e Shqipërisë në arsimimin e të rinjve të saj, për t‘u mundësuar atyre të studiojnë, jetojnë, të shpalosin aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë për ekonominë këtu, në Shqipëri. “Përmes këtij projekti ne po përmirësojmë kushtet e jetesës për 4.700 studente dhe studentë – 70 % e tyre vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Në të njëjtën kohë këto masa mbështesin Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt efiçencës së energjisë dhe në përmbushjen e kritereve për anëtarësimin në BE”, deklaroi ambasadori gjerman.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që vazhdojmë me mbështetjen tonë ndaj studentëve shqiptarë dhe të rinjve të këtij vendi. Së shpejti, mijëra studentë shqiptarë do të kenë të njëjtat kushte jetese si bashkëmoshatarët e tyre në BE, në mos më të mira. Siç e dimë të gjithë, në të kaluarën, mes këtyre godinave të Qytetit Studenti, energjia jetike e rinisë ndryshoi një komb të tërë. Jemi të sigurt se brezat e ardhshëm do ta marrin këtë projekt novator si një model të ardhshëm për t’u përpjekur për më shumë efiçencë, tranzicion të gjelbër dhe zgjidhje miqësore me mjedisin”, deklaroi i Ngarkuari me Punë i BE-së Alexis Hupin.
Informacion bazë
Në Shqipëri, KfW-ja zbaton Bashkëpunimin Financiar Gjerman përmes projekteve dhe programeve të ndryshme. KfW-ja ofron ndihma në grante dhe kredi koncesionare për investime kyçe dhe shërbime konsulence që lidhen me projektet. Bashkëpunimi gjerman për zhvillim me Shqipërinë nisi në vitin 1988. Që atëherë, qeveria gjermane ka akorduar më shumë se një miliard euro për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një fushë parësore në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjerman me Shqipërinë, me një portofol aktiv prej 392 milionë euro.
WBIF është një nismë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), donatorëve dypalësh dhe përfituesve të Ballkanit Perëndimor, e nisur në dhjetor 2009 me qëllim të ofrimit të asistencës financiare dhe teknike për investime strategjike. Më pas platformës iu bashkuan KfW-ja dhe Banka Botërore. Në dhjetor 2018, Agence Française de Développement (AFD) u bë organizatë pjesëmarrëse në WBIF.
/Argumentum.al