Gjermania, Bashkimi Europian (BE) dhe Qeveria Shqiptare nënshkruan sot marrëveshjet për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, njërit prej burimeve kryesore të energjisë në Shqipëri. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Znj. Delina Ibrahimaj, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it z. Ergys Verdho dhe Drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Tiranë znj. Brit Horschke, përfaqësuese e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), nënshkruan marrëveshjet e huasë dhe granteve për rehabilitimin e Fierzës, të cilat përfshijnë një hua prej 40 milionë eurosh dhe një grant prej 2 milionë eurosh të dhënë nga Qeveria Federale Gjermane përmes KfW-së si dhe një grant prej 8.35 milionë eurosh të dhënë nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Belinda Balluku, Ambasadori i BE-së në Shqipëri z. Luigi Soreca dhe Ambasadori Gjerman në Shqipëri z. Peter Zingraf.
Ky projekt është një nga projektet kryesorë të përzgjedhur për planin e investimeve ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor me një rëndësi të veçantë strategjike në nivel kombëtar dhe rajonal. Projekti do të mbështesë njërin prej burimeve më të rëndësishme energjetike të Shqipërisë, i cili prodhon 22 % të prodhimit të brendshëm dhe jep kontributin e tij në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në nivel rajonal.
Projekti ka për qëllim të sigurojë furnizim me energji elektrike afatgjatë, të qendrueshëm dhe miqësor me mjedisin duke rritur me të paktën 30 vjet jetëgjatësinë prodhuese të hidrocentralit të Fierzës si dhe duke rritur gjithashtu efiçencën dhe kapacitetin e tij me të paktën 10 %. Kjo do të ndikojë edhe në uljen e importit të kushtueshëm të energjisë elektrike dhe uljes së CO2. Hidrocentrali i Fierzës administrohet nga KESH-i, i cili është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend me rreth 75% të prodhimit vendas në Shqipëri.
Informacion plotësues:
Në Shqipëri, KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme.
Bashkëpunimi Gjerman me Shqipërinë filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shumë totale prej mbi një miliardë eurosh për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një nga sektorët kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjerman në Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 501 milionë euro që nga viti 1988.
Bashkimi Europian është partneri i huaj më I fuqishëm i Shqipërisë duke dhënë mbi 100 milionë euro në vit ndihmë në mbështetje të popullit shqiptar dhe ndihmon Shqipërinë të adoptojë dhe zbatojë reforma kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike në mënyrë që të jetë në të njëjtën linjë me vlerat dhe rregullat e BE-së.
WBIF mbështet zhvillimin social dhe ekonomik dhe anëtarësimin në BE të Ballkanit Perëndimor përmes dhënies së asistencës financiare dhe teknike për investime strategjike. Ajo është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve bilateral dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, e cila u hap në Dhjetor 2009.