Licencimi i vaksinës ndaj koronavirusit është në prag. Qytetarët, mjekët dhe ekipet e ndihmës ndodhen përpara një sfide të madhe. Si duhet realizuar vaksinimi i një populli 80 milionësh?
Do të jetë një ndër sfidat logjistike më të mëdha prej shumë kohësh për Gjermaninë. Pasi Autoriteti Europian i Produkteve Mjekësore (EMA) me seli në Amsterdam komunikoi, se do të vendosë më 21 dhjetor për licencimin e vaksinës së koronavirusit të firmave BioNTech dhe Pfizer. EMA, në fakt është e pavarur politikisht, fillimisht pati deklaruar 29 dhjetorin si datën e parashikuar për të dhënë rekomandimin e licencimit. Kjo megjithatë është bërë ndër të tjera edhe nën presionin nga ana e qeverisë së Gjermanisë.
Tani pra, me disa ditë në avancë mund të fillohet me vaksinimin, pas licencimit ndoshta menjëherë pas Krishtlindjeve. Më në fund vaksina u gjet. „Një dhuratë e mrekullueshme për Krishtlindje”, kështu u shpreh ekspertja kristiandemokrate e shëndetësisë në parlament, Karin Maag të mërkurën (16.12)
Vaksinohen fillimisht të moshuarit dhe të sëmurët e pastaj personeli mjekësor
Sallat e panaireve, sallat e koncerteve, hotelet, ish-kapanonet strehimore të refugjatëve, e madje edhe repartet e supermerkatove do të shfrytëzohen duke u kthyer në qendra vaksinimi. Në mbarë Gjermaninë do të hapen 440 qendra të tilla, në mënyrë që njerëzit të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur. Se kush do të vaksinohet fillimisht këtë e kanë vendosur ekspertët e „Komisionit të përhershëm të Vaksinimit”, një grup ekspertësh të pavarur, që këshillon qeverinë: Fillimisht do të vaksinohen banorët në shtëpitë e kujdesit si dhe personeli i emergjencës, i mjekësisë së transplanteve si dhe i shtëpive të kujdesit për të moshuarit. Grupet që duhen vaksinuar me prioritet, përfshijnë më shumë se 8,6 milionë njerëz.
Në grupin e dytë të prioritetit do të vaksinohen personat në moshën 75 deri në 80 vjeç si dhe ata që banojnë në qendrat e trajtimit të demencës. Në këtë grup përfshihet edhe personeli i shërbimit në këto qendra të shërbimit ambulant ose të përhershëm. Edhe ky grup konsiderohet si me rrezikshmëri të lartë infektimi. Numri i tyre llogaritet të jetë mbi 6,7 milionë. Grupi i tretë në listën e klasifikimit të prioritetit, janë mbi 5,5 milionë vetë të moshës 70 deri në 75 vjeç si dhe personat me sëmundje paraprake ose që janë në kontakt me gratë shtatzëna.
Pas këtyre grupeve pasojnë punonjës të sektorëve të rëndësishëm si mësuesit apo ekspertët e qendrave të elektricitetit. Qeveria do të marrë përsipër kostot për vaksinimin dhe do t’i depozitojë vaksinat në depo qendrore, rreth 2,7 miliardë Euro janë parashikuar për këtë në buxhet. Për shpërndarjen në nivel federate janë 440 qendra përgjegjëse, por për shpërndajen në nivel landesh janë përgjegjëse vet landet.
Dy vështirësi kryesore
Organizatorët kanë dy shqetësime: Vaksina duhet të depozitohet deri në momentin e përdorimit në temperaturën minus 70 gradë. Më pas ajo do të shkrihet dhe do të injektohet. Gjatë vaksinimit njerëzit duhet të qendrojnë fare pak kohë në qendrat e vaksinimit. Pra do të jetë e vështirë që të ndodhen gjithmonë po aq ampula me vaksina në dispozicion sa do të nevojiten për numrin e njerëzve që ndodhen konkretisht në qendrën evaksinimit.
Ruajtja e distancës në qendrat e vaksinimit
Se si do të organizohet puna praktiksiht në qendrat e vaksinimit e shpjegon me sy kritik një punonjëse e një qendre vaksinimi në landin e Shlesvig-Holsteinit: „Personat që duan të vaksinohen paraqiten në recepcion, atje ata regjistrohen me të dhënat personale, pastaj kalojnë në mjedisin e pritjes, ku presin sa t’i thërrasë mjeku. Në një mjedis tjetër është parashikuar biseda paraprake me mjekun. Më pas ata kalojnë përmes një kalimi me një drejtim në mjedisin e vaksinimit, ku u injektohet vaksina. Në një tjetër mjedis të vaksinuarit duhet të presin rreth çerek ore për t’u qetësuar duke u mbajtur nën vëzhgim. Por edhe në qendrat e vaksinimit duhet ruajtur distanca, duhet mbajtur maska, duhen shmangur kontaktet. Pas disa javësh vaksina duhet të përsëritet. Pra për çdo person nevojiten dy ampula. Sipas ministrit të Shëndetësisë Jens Spahn gjithsej Gjermania do të marrë 100 milionë ampula nga kontigjenti europian, por në javët e para do të jenë në dispozicion rreth tre milionë ampula për tre muaj do të sigurohen deri në njëmbëdhjetë milionë ampula.
Mungesë personeli
Ka shumë nevojë për personel. Dhjetëmijë mjeke e mjekë si dhe ndihmës janë regjistruar vullnetarisht për të ndihmuar në shumë qendra, megjithatë po kërkohet personel me urgjencë. Vetëm në Bavari, që është ndër landet me numrin më të lartë të infeksioneve, do të vihen në dispozicion 99 qendra vaksinimi dhe do të realizohen deri në 30.000 vaksinime në ditë.
Secili land ndjek konceptin e vet: Hamburgu do të mundësojë deri në 7.000 vaksinime në ditë, në sallat e panairit është parashikuar të krijohen paralelisht shtatë qendra. Ka nevojë edhe për personel përkthyesish si dhe të forcave të rendit.
Gatishmëria për vaksinim 68 përqind?
Qeveria e ka theksuar vazhdimisht, që vaksinimi bëhet me vullnet të lirë, askush nuk është i detyruar të vaksinohet. Qeveria sipas një liste të përpiluar parashikon, që rreth 46,16 milionë njerëz në Gjermani janë të gatshëm të vaksinohen, një kuotë kjo rreth 68 përqind. Këta janë më shumë nga sa rezultonin anketimet e fundit. Kohët e fundit ka pasur rënie të gatishmërisë për vaksinim në Gjermani. Ka gjithashtu edhe njerëz që parimisht janë kundër vaksinimeve.
Pra shteti tani do ta marrë vet në dorë vaksinimin. Pasi një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të jetë vaksinuar, atëherë procesi i vaksinimit do të kalojë nëpër klinikat e mjekëve. Se kur do të ndodhë kjo, është ende e paqartë. Por deri atëherë le të shpresojmë që do të jenë në dispozicion edhe produktet për pesë prodhuesit e vaksinave, tek të cilët qeveritë kanë porositur vaksinën./dw