Gjermania ndaloi procesin e çertifikimit të gazsjellësit rus Nord Stream 2, njoftoi të martën kancelari Olaf Scholz, ndërsa Perëndimi filloi marrjen e masave kundër Moskës për veprimet e saj ndaj Ukrainës. Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian paralajmëruan sanksione ndaj disa zyrtarëve rusë dhe bankave që financojnë forcat ruse.
Në një konferencë në Berlin, Kancelari Olaf Scholz njoftoi vendimin për të pezulluar gazsjellësin rus Nord Stream 2, një lëvizje domethënëse për qeverinë gjermane, e cila për një kohë të gjatë i ka rezistuar presionit të Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane për të mos e miratuar këtë projekt.
“Ndërmorëm hapat e nevojshëm administrativë dhe ligjorë për të mos çertifikuar gazsjellësin. Pa u çertifikuar, Nord Stream 2 nuk mund të hyjë në funksionim”, tha kancelari Scholz.
Për vite të tëra Uashingtoni ka argumentuar se ndërtimi i një tubacioni tjetër që sjell gaz natyror nga Rusia në Gjermani, rrit varësinë e Evropës ndaj furnizimeve ruse të energjisë.
Ndërkohë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian paralajmëruan vendosjen e sanksioneve ndaj disa zyrtarëve rusë dhe bankave që financojnë forcat e armatosura ruse. BE-ja gjithashtu synon kufizimin e qasjes së Moskës ndaj kapitalit dhe tregjeve financiare të bllokut.
Përmes një deklarate Bashkimi Evropian njoftoi se do të shënjestronte ata që ishin përfshirë në vendimin e paligjshëm për njohjen e pavarësisë së dy zonave të kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore, por pa dhënë emrat e këtyre individëve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, thanë gjithashtu se do të shënjestrojnë tregtinë e dy rajoneve të shkëputura me BE-në.
Ata thanë se masat kufizuese synojnë ndalimin e transaksioneve të shtetit dhe qeverisë ruse me kapitalin, tregjet financiare dhe shërbimet e BE-së, për të kufizuar financimin e politikave përshkallëzuese dhe agresive të Moskës.
Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë sot rreth sanksioneve. BE-ja njoftoi se ka përgatitur dhe është e gatshme për miratimin e masave shtesë nëse është e nevojshme.
Rusia tha të martën se zonat në lindje të Ukrainës, të cilat Moska i njohu si të pavarura, shtrihen në territore që aktualisht kontrollohen nga forcat ukrainase. Kjo ka ngritur edhe më shumë shqetësimet e Perëndimit se Rusia mund të fillojë në çdo kohë një sulm frontal ndaj Ukrainës.
Njoftimi vjen një ditë pasi Rusia shpalli njohjen e pavarësisë së rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, por pa saktësuar se ku i shihte kufijtë e këtyre zonave.
Javëve të fundit Rusia ka grumbulluar rreth 150 mijë trupa në afërsi të Ukrainës. Të hënën vonë, autokolona me automjete të blinduara janë parë duke lëvizur në territoret e kontrolluara nga separatistët.
Nuk ishte e qartë nëse bëhej fjale për hyrje të forcave ruse.
Moska ende nuk ka njoftuar për ndonjë dislokim trupash në lindje të Ukrainës, por Vladislav Brig, anëtar i këshillit lokal separatist në Donetsk u tha gazetarëve se trupat ruse tashmë kanë hyrë duke zënë pozicione në veri dhe perëndim të rajonit.