Gjermania, Suedia dhe Polonia kanë njoftuar se do të dëbojnë secila nga një diplomat rus, si kundërpërgjigje ndaj Moskës, e cila javën e kaluar veproi njëjtë me diplomatët nga të trija vendet anëtare të BE-së.
Moska i dëboi diplomatët evropianë për pretendimet se kanë marrë pjesë në protesta të mbështetësve të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny. Gjermania ka thënë se personeli i Ambasadës së Gjermanisë në Moskë kishte vepruar bazuar në të drejtat që i siguron Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe se veprimi i Moskës ndaj diplomatëve evropianë nuk ishte i “arsyetuar në asnjë mënyrë”.
Të hënën, Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se një diplomat i Ambasadës së Rusisë në Berlin është shpallur person i padëshiruar (non grata). Qeveritë suedeze dhe polake bënë njoftime të ngjashme.
Ministrja e Jashtme e Suedisë, shkroi në Twitter se “ambasadori rus është njoftuar se një diplomati i është kërkuar ta lëshojë Suedinë”.
“Kjo është një përgjigje ndaj vendimit të papranueshëm për dëbimin e një diplomati suedez i cili po kryente detyrat e tij”, tha ajo.
Ndërsa Ministria e Jashtme e Polonisë tha se kishte dëbuar një punonjës të konsullatës ruse në qytetin perëndimor të Poznanit.
“Ministria e Jashtme mori vendimin në përputhje me parimin e reciprocitetit dhe në koordinim me Gjermaninë dhe Suedinë”, u tha në njoftimin e Polonisë.
Më 5 shkurt Rusia njoftoi për dëbimin e diplomatëve evropianë, derisa shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell po zhvillonte një vizitë në Moskë.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e quajti BE-në një “partner të pasigurt”.
Më 2 shkurt, Aleksei Navalny u shpall fajtor për shkeljen e një dënimi të tij me kusht. Ai e ka quajtur vendimin si të motivuar politikisht. Navalny 44-vjeçar u arrestua më 17 janar pasi u kthye nga Gjermania në Rusi.
Në Berlin ai u trajtua për helmim me agjent nervor. Ai e ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin për helmimin ndërsa Kremlini e ka mohuar.
Më shumë se 1.400 njerëz u arrestuan nga policia në Moskë, Shën Petersburg dhe qytete të tjera ruse pas vendimit të gjykatës më 2 shkurt. Protesta pro-Navalnyt janë mbajtur në shumë qytete ruse më 23 dhe 31 janar.
Këto janë vlerësuar si protestat më të mëdha anti-qeveritare ndër vite në Rusi. Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore për ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë./Rel