Qeveria e Malit të Zi ka treguar qartë se është e përkushtuar për të punuar drejt reformave që do ta sjellin atë në Bashkimin Evropian, tha Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Bearbock, në një konferencë për media me homologun malazez Filip Ivanoviç të hënën në Podgoricë, shkruan VOA.
“Qeveria po bën një punë të shkëlqyer për zgjidhjen e çështjeve të hapura në fushën e drejtësisë. Zbatimi i reformave kërkon aftësi udhëheqëse dhe tani ka vetëm një rrugë për qeverinë, që është rruga drejt BE-së. Kushtet e përkohshme në kapitujt 23 dhe 24 duhet të arrihet deri në verën e këtij viti”, tha zonja Baerbock.
Ajo theksoi se zgjerimi i BE-së është një domosdoshmëri, veçanërisht pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
“Në procesin e anëtarësimit në BE, Mali i Zi i ka vendosur vetes synime shumë të mëdha. Por krah për krah ne po shkojmë drejt Bashkimit Evropian,” tha zonja Baerbock.
Duke folur për ndikimet ruse në rajon, Baerbock tha se ka nga ata që duan të dobësojnë shtetet demokratike.
“Një nga shtyllat e rëndësishme në kohë të vështira është forcimi i sigurisë juridike. Sigurimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe për ne është e rëndësishme që Mali i Zi t’i ketë të dyja këto sigurime. Ne po punojmë intensivisht dhe po e forcojmë atë rrugë.” tha Berbok.
Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Filip Ivanoviç shprehu vullnetin e fortë drejt integrimit evropian.
“Ne besojmë se procesi i zgjerimit është real dhe i realizueshëm dhe për këtë kemi vendosur që të gjitha kapacitetet tona t’i vëmë në shërbim të integrimit evropian të Malit të Zi. Ky është qëllimi ynë kryesor”, tha ministri Ivanoviç.
Zoti Ivanoviç theksoi se vizita e ministres gjermane vjen në momentin e “reformave të mëdha” të Malit të Zi në rrugën e tij evropiane.