Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, me rastin e 60-vjetorit të krijimit.
Gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar sot paradite, Kreu i Shtetit i dorëzoi drejtoreshës së kësaj shkolle të mesme kryeqytetase, zonjës Teuta Braçaj, dekoratën e lartë:
“Në shenjë mirënjohjeje me rastin e 60-vjetorit të themelimit, për veprimtarinë e çmuar arsimore, si dhe për edukimin dhe kultivimin e vlerave morale e njerëzore të brezave të rinj, duke i bërë shembull të qytetarisë në shoqëri”.
“Ndihem shumë i lumtur që ndodhem sot mes jush, në këtë 60-vjetor të njërit prej gjimnazeve më në zë të Tiranës dhe Shqipërisë, gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
Sot pas 6 dekada, ky gjimnaz i Tiranës, i cili mban emrin e njërit prej martirëve më të shquar të Rilindjes Kombëtare, atdhetarit Petro Nini Luarasi, me të drejtë krenohet me arritjet e tij.
Gjeneratat e ‘petroninsave’, me kontributin e tyre të vyer në të gjitha fushat e jetës, kanë ngritur lart jo vetëm emrin e shkollës, por edhe të Shqipërisë.
Mirënjohje të thellë mësuesve të gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’ ndër dekada, të cilët, krahas performancës së lartë profesionale në shkollë, kanë demonstruar vlera qytetare e njerëzore dhe kanë shërbyer si model për nxënësit e studentët e tyre”, u shpreh Presidenti.
Ai theksoi se rezultat i punës së palodhur të këtyre mësuesve të jashtëzakonshëm janë breza të tërë studentësh, që kanë arritur rezultate të shkëlqyera brenda dhe jashtë vendit.
“Rezultat i kësaj pune janë gjithashtu, edhe shumë figura të njohura e të shquara në fusha të ndryshme të aktivitetit jetësor në vendin tonë.
Të jesh edukator i brezave të rinj, të lesh gjurmë në formimin e brezave të ardhshëm është një sfidë e vazhdueshme, sepse kërkon dedikim dhe një përgatitje e studim të pandërprerë.
Por mendoj që, nuk ka kënaqësi më të madhe për një mësues, kur shikon rezultatet e punës të materializuara në një artist të suksesshëm kombëtar e ndërkombëtar, apo në një studiues të njohur e vlerësuar nga mbarë bota.
Edukimi, si një e mirë publike, është thelbësor për paqen, tolerancën, për t’u realizuar në jetën personale por edhe për një zhvillim më të qëndrueshëm të vendit dhe të komunitetit.
Sot, Shqipëria, ka nevojë për një sistem edukimi që ka si objektiv zhvillimin e integritetit njerëzor personal nga njëra anë, por edhe formimin e të rinjve si qytetarëve të ndërgjegjshëm, aktivë, bashkëpunues, që marrin përgjegjësi e ndërtojnë partneritete, në emër të interesave të përbashkëta.
Arsimi i mesëm ka patur gjithmonë një rol thelbësor në futjen e të resë dhe në progresin e shoqërisë, dhe është edhe sot, si një faktor kyç në edukimin e brezave të rinj.
Por, arsimi ynë i mesëm ka nevojë të vazhdojë të përparojë, duke ofruar metoda mësimdhënie që stimulojnë imagjinatën e të rinjve, që mundësojnë të menduarit kritik dhe krijues dhe që i nxisin ata të realizojnë të gjithë potencialin e tyre në të ardhmen.
Mësimdhënia dhe mësinxënia duhet të jenë më ndërvepruese, më të lidhura me jetën reale, duke bërë pjesë të kurrikulave mësimore, krahas studimeve teorike edhe praktikën, dhe të ndërtuara duke patur në qendër nxënësit dhe aftësitë e tyre”, deklaroi Kreu i Shtetit gjatë ceremonisë.
Sipas Presidentit, vetëm duke ofruar një të ardhme me mundësi të mira punësimi, mund të sigurohemi që të rinjtë tanë të mos largohen më nga vendi duke evituar kështu, plakjen dhe shpopullimin e atdheut tonë.