“Çështja e gjuhës është e brendshme dhe vetëm qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të diskutojnë për të”. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri për çështjet europiane, Nikola Dimitrov. Kjo ishte një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për pretendimet që ka Bullgaria, me të cilat ka bllokuar procesin e Integrimit, jo vetëm për Shkupin, por edhe për Shqipërinë.
Nikolla Dimitrov, zv/kryeministër
“E drejta e patjetërsueshme e çdo populli është e drejta për vetëvendosje dhe për të zgjedhur gjuhën që flasin. Ishte e drejtë e njerëzve që jetojnë këtu, dhe jo e një shteti tjetër ose ndonjë organizate ndërkombëtare. Çështja e gjuhës dhe kjo luftë e jona nuk është vetëm një mbrojtje e identitetit maqedonas, por një luftë për ruajtjen e identitetit evropian dhe vlerave që duhet të udhëhiqen nga BE”.
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, sot në Forumin e Prespës për Dialog, tha se me qëllim nuk e ka shprehur qëndrimin e tij gjatë ditës së djeshme, lidhur me deklaratën e sekretares portugeze, pasi ka dashur që fillimisht të bisedojë me autoritetet në Portugali.
Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme
“Me qëllim nuk ka pasur qëndrim dje, sepse kam dashur në fillim të kem bisedë me Sillvan. Ajo çfarë mund të thuhet është se nga ajo bisedë e mirë dhe konstruktive, është se unë e shfrytëzova mundësinë në ditën e fundit të kryesimit portugez, të falënderohem për përkushtimin e mirë, proaktiv që e bëri ky kryesim që të gjendet zgjidhje për kontestin mes Shkupit dhe Sofjes. Kryesimi portugez tregoi se munden dhe se zgjidhja është këtu. Vetëm se duhet përkushtim nga të dy palët”.
Përndryshe, para ca ditësh ministrja e Punëve të Jashtme të Portugalisë Ana Paola Zakarijas,deklaroi se gjuha maqedonase dikur ka qenë pjesë e gjuhës bullgare. Pas kësaj deklarate reagoi Qeveria e vendit tonë duke thënë se deklarata e sekretares shtetërore për Çështje Evropiane të Portugalisë Ana Paula Zakarijash, është në kundërshim me propozimin portugez.