Në të gjitha degët e universiteteve të Shqipërisë do të futet lënda e gjuhës shqipe.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në gjatë prezantimit të Portalit të Transparencës Universitare “u-transparenca.al”.
“Ne po bëjmë një reflektim dhe besoj shumë shpejt do të kemi disa konkluzione në gjuhën shqipe në universitete, pasi shikojmë një situatë të përgjithshme dramatike me gjuhën shqipe në tërësi”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ju e dini shumë mirë gjuha shqipe u hoq nga programi i shkollës së mesme, ne e rifutëm, por shikojmë një agresion të madh kundër gjuhës shqipe në tërësi, agresion i prodhuar nga kohërat që po jetojmë dhe duam ta fusim gjuhën shqipe edhe në universitet, në të gjitha degët”.
Nuk ka mundësi, vijoi ai, të mos dish të shkruash shqip dhe të jesh gjeolog i mirë.
“Po ashtu po bëjmë edhe një reflektim mbi anglishten, ka njëfarë rregulli, duhet marrë provimi, por është e vështirë të besohet se kush nuk di shqip duke qenë shqiptar, di anglisht. Nuk kuptohet se përmes cilës gjuhë e ka mësuar anglishten, kur shqipen nuk e zotëron. Këto të dyja do të jenë pjesë e këtij reflektimi, anglishten do ta fuqizojmë patjetër kushtin për të qenë zotërues i gjuhës angleze duke filluar nga vetja, duke dhënë ne kontribut në një sistem përmes të cilit studentët do të kenë mundësi ta mësojnë apo përmirësojnë dijeninë e tyre mbi gjuhën angleze”, – theksoi Rama.
Sipas tij, gjuha shqipe duhet të zërë vendin e vet në universitet.