Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq nënshkroi ndryshimet e reja të miratuara në Ligjin për Presidentin. Më herët të premten, ai shprehu besimin se ekziston nevoja për përfshirjen e ndërmjetësve të BE-së në zgjidhjen e krizës aktuale politike në vend, siç shpjegoi në një intervistë për MINA.
Sipas Gjukanoviqit, edhe pse gjatë viteve të kaluara ishte kundër ndërhyrjes së jashtme në mosmarrëveshjet e brendshme politike, ai tani beson se situata kërkon ndihmë nga BE-ja.
“Mendoj se thellësia e problemeve me të cilat po ballafaqohemi në këtë fazë të jetës politike në Mal të Zi, me një shpërfillje kaq arrogante ndaj rekomandimeve të institucioneve relevante ndërkombëtare, detyrimisht kushtëzon zgjidhjen e tyre me ndihmën e partnerëve”, tha Gjukanoviq.
Ai kritikoi shumicën parlamentare për humbjen e mundësisë për të zgjedhur një qeveri pasi dy qeveritë e mëparshme humbën mbështetjen parlamentare dhe iu nënshtruan një votëbesimi. Gjukanoviq shpjegoi se ai hodhi poshtë propozimin e Parlamentit për t’i dhënë Miodrag Lekiqit, liderit të Demos, mandatin për të formuar një qeveri të re për shkak të mosrespektimit të afateve kushtetuese. Gjukanoviq më pas propozoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, por Parlamenti e refuzoi propozimin e tij.
Presidenti malazez shprehu mosbesim se shumica aktuale parlamentare mund të zgjidhë “vakumin institucional” dhe të zgjedhë një qeveri që do të jetë në gjendje të trajtojë çështjet me të cilat përballet vendi. Ai akuzoi mazhorancën parlamentare si jo të besueshme dhe të udhëhequr nga interesa ditore politike.
“Prandaj nuk mendoj se një shumicë e tillë mund të zgjedhë një qeveri që do të ishte në gjendje të zgjidhte problemet e vështira në të cilat ndodhet vendi ndërkohë”, ka theksuar Gjukanoviq në intervistën për MINA.
Ai ka theksuar se miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Presidentin është në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria e zgjedhur nga ky Parlament, sipas Gjukanoviqit, nuk mund të llogarisë në asnjë partneritet dhe bashkëpunim me institucionet evropiane dhe me asnjë anëtar të BE-së.
Sipas Gjukanoviqit, shtyrja e seancës së Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim është një tregues i qëndrimit të BE-së ndaj ekzekutivit malazez. Ai shprehu besimin se do të pasojnë më shumë situata si kjo.
“Për mendimin tim, është plotësisht logjike që, nëse keni një marrëveshje stabilizimi dhe asocimi me BE-në, nëse keni filluar procesin e negociatave, nëse rikonfirmoni angazhimin tuaj për të qenë pjesë e BE-së në baza ditore dhe jeni të vetëdijshëm për rregullat për t’u bërë pjesë e atij komuniteti prestigjioz, ju duhet të jeni plotësisht në përputhje me legjislacionin e Unionit”, tha Gjukanoviq.