Gjykata e Tiranës pranoi sot kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili regjistroi ndryshimet statutore në Partinë Demokratike sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Sali Berishës.
Sipas medieve, gjyqtarja Blerina Muça vendosi në Dhomë Këshillimi se PD ka të drejtë ta paraqesë ankimin e vendimit të Zhukrit në Apel.
“Ju informoj se sot më datë 22.04.2022, gjyqtarja znj. Blerina Muça, në lidhje me kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, me objekt: Prishjen e Vendimit Nr. 1346/222 Akti, Nr. 3 Vendimi, datës 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trup gjykues, vendosi në dhomë këshillimi: Pranimin e ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj Vendimit Nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kundër vendimit nuk lejohet ankim,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
Tashmë, i takon Gjykatës së Apelit të vendosë nëse do të pushojë gjykimin, apo do të kthejë për shqyrtim po në Gjykatën e Tiranës por me trupë tjetër gjykuese, kërkesë-padinë e Rithemelimit për regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit që Zhukri e vulosi më 25 mars 2022.
Përfaqësues ligjorë të Rithemelimit janë shprehur më herët se Enkelejd Alibeajt nuk mund të ankimonte vendimin e Agron Zhukrit duke qenë se nuk ishte palë në proces. Por gjyqtarja Blerina Muça vendosi ta pranojë ankimin e palës ankuese, Alibeaj, duke e kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Apelit.