Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut shpalli sot njëzëri si të papranueshme “Çështjen Beshiri kundër Shqipërsisë” dhe 11 çështje të tjera të ngjashme pronash, duke pranuar skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv.
Këto ishin kërkesat e para, të cilat po shqyrtoheshin pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Trajtimin e Pronës, pra nevojitej një shqyrtim imtësishëm i masave të marra nga Qeveria.
Gjykata nuk e pranoi argumentin se Ligji për Trajtimin e Pronës sillte një shkelje të parimit të sigurisë juridike përsa i përket të drejtës së kompensimit.
“Autoritetet shtetërore – tha Gjykata – gëzonin një hapësirë të gjerë në përcaktimin e mënyrave të zgjidhjes së problemit për shkelje të të drejtës së pronës”.
Ajo vendosi se efektiviteti i mjetit ligjor nuk cënohej nga mënyrat e zgjidhjes së problemit, të cilat ishin parashikuar në Ligjin për Trajtimin e Pronës.
Gjykata theksoi se ishin për t’u shqyrtuar thuajse 7 mijë kërkesa të patrajtuara për njohje të së drejtës së pronësisë.
Të gjithë kërkuesit e 12 proceseve gjyqësore zotërojnë vendime përfundimtare administrative, të cilat njohin të drejtën e kompensimit, në vend të kthimit të pronave, që ishin konfiskuar ose shtetëzuar nga regjimi komunist. Megjithatë, ato vendime përfundimtare nuk janë ekzekutuar asnjëherë në mënyrë të plotë.
Ish-pronarët kërkues pretenduan se ata nuk mund të detyroheshin të përdornin një mjet ligjor, i cili kishte hyrë në fuqi shumë vite pasi ata kishin regjistruar kërkesat pranë Gjykatës.
Ata pretendonin se zbatimi prapaveprues i Ligjit për Trajtimin e Pronës përbënte një shkelje të parimit të sigurisë juridike.
Sipas tyre, kompensimi që pritej të përfitonin do të ishte shumë më i vogël në krahasim me atë që parashikohej të merrnin sipas legjislacionit të mëparshëm.
Me ligjin e ri kompensimi do të bazohej në zërin kadastral që kishte prona në kohën e shpronësimit dhe jo në zërin aktual kadastral të pronës.
Parlamenti shqiptar miratoi në vitin 2015 Ligjin për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave, me qëllim që të përfundonte shqyrtimin e kërkesave për njohjen e pronave të konfiskuara dhe të rregullonte dhe jepte kompensim.
Qeveria i tha Gjykatës se Ligji për Trajtimin e Pronës krijoi një mjeti të brendshëm ligjor dhe vuri në dizpozicion burime të konsiderueshme për Fondin e Kompensimit për ish-pronarët. ndërsa Agjencia e Trajtimit të Pronave kreu vlerësimin financiar të më shumë se 25 mijë vendimeve.