Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJPAKKO) ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Në një njoftim nga GJPAKKO thuhet se në seancën e sotme, ndaj Berishës, i cili sipas autoriteteve shqiptare dyshohet për korrupsion, është vendosur ndryshimi i vendimit të datës 27 nëntor 2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).
GJKKO vendosi në nëntor të vitit të kaluar heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi ndaj Berishës, i cili aktualisht është kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike.
Sipas GJPAKKO-së, ndaj vendimit të sotëm mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) kishte kërkuar kthimin e masës arrest shtëpie, por gjykata e apelit caktoi masë të re, detyrim paraqitje.