Shpendi TOPOLLAJ
Mbi pllakën e varrit të Nikollai Vasilieviç Gogolit shkruhet: “Me fjalën time të hidhur mund të qeshni për jetë”. Personalisht, nuk mund të them me siguri se kjo është thënë prej tij si dëshirë e fundit. Ajo, që dihet nga të gjithë është shprehja e tij se “Varri është më i mëshirshëm se sa pleqëria, sepse mbi varr shkruhet: “Këtu prehet një njeri” – kurse në vijat e akullta dhe të pa ndjenja të shoqërisë çnjerëzore nuk do të lexoni asgjë”. Ndofta, pikërisht për këtë mund të ketë ikur i lumtur nga kjo botë aq shpejt, vetëm kur ishte dyzetetre vjeç. Janë disa rusë të shquar si ai, që lanë pas një vepër dhe emër të madh, brenda një jete fare të shkurtër; mjaft të kujtoj miqtë e tij A.S.Pushkinin (37) apo M. Lermontovin (27), e pastaj plot të tjerë si Çehovi (44), Blloku (41), Esenini (30), Majakovski (37), Mandelshtami (48), etj. që të vënë në mendime të thella, por jo të të bëjnë për të qeshur, siç na bën ai. Dhe është një e qeshur jo si ajo e “Shvejkut” të Jarosllav Hashekut, por e një lloji krejt tjetër, gogoliane, e paprovuar më parë dhe çuditërisht, që nuk të ndahet kurrë. Nuk të ndahet se ai, me largpamësinë e tij fenomenale ka ditur jo vetëm të përzgjedhë tema të përbotëshme, por edhe të gjithëkohëshme. Bir i komediografit Vasil Afanasjeviç ai lindi në 20 janar të vitit 1809, në fshatin Bolshoje Soroçin afër Mirgorodit të Ukrainës. Nënën e tij e mbanin për femrën më të bukur të gjithë asaj guberne dhe ashtu sikurse i ati, vinte nga një familje e kamur. Vasili, kishte ditur të zgjidhte kur e mori atë që katërmbëdhjetë vjeçe dhe që lindi pesë fëmijë. Fëmijërinë, Nikollai e kaloi në çifligun e tij dhe gjithmonë tregohej i vëmendshëm në bisedat që bëheshin, kur shkëmbenin vizita me fqinjët rreth e qark. Kishte një kujtesë të jashtëzakonshme, ndaj gjithë sa dëgjonte, sa shihte gjatë udhëtimeve e më pas, sa kishte lexuar në bibliotekën e pasur të xhaxhait të tij, ai i fiksonte për t`i përdorur më vonë në librat e tij.
Nuk shkëlqente në mësime, madje thuhet se ishte disi dhe i mefshët e i drojtur, ama gjithmonë i interesuar për zhvillimet kulturore. Qysh në gjimnaz, të cilin e kreu në Nezhen deri në vitin 1825, zuri të aktivizohej në pjesët teatrore që përgatisnin si amatorë, ku shumica e teksteve kishin autorësinë e tij. Si punoi ca kohë pranë një zyre drejtësie, u nis me një shokun e tij drejt Peterburgut, gjithmonë për t`i hyrë rrugës së letërsisë. Kjo ishte një ndërmarrje jo e lehtë, pasi dihet se ky qytet ishte bërë epiqendra e kulturës ruse dhe aty kishte personalitete të fuqishme të shkencës, artit dhe letërsisë. Kishte marrë me vete një poemë, të cilë e botoi si broshurë, por kur pa nga reagimet aspak inkurajuese, se s`kishte qullosur gjë, e bleu gjithë tirazhin dhe e grisi. Vërtetë u mërzit, por nuk u dekurajua, kështu që nisi të shkruante nga e para një përmbledhje tregimesh që e titulloi “Mbrëmjet në fshatin pranë Dikankës”. Ishte viti 1831, kur tregimet me frymë romantike, kryesisht rreth jetës së fshatarëve, dokeve e zakoneve të tyre, bujarisë karakteristike, por dhe humorit të hollë popullor, të përfshira në sfondin e një natyre magjepsëse, bënë mjaft përshtypje te lexuesit, të cilët vunë re edhe alternimin e të vërtetave me aftësinë e përfytyrimit të këtij autori të ri e të panjohur. Qe fat se atë e lexoi edhe vetë Pushkini i cili u shpreh me fjalë të zjarrta, duke e quajtur ngazëllim i vërtetë njerëzor. Dhe kjo nuk ishte pak. Shkon për ca kohë Gjermani dhe kur kthehet sheh se fama e tij ishte rritur.
Që nga ajo kohë, për Gogolin zuri të flitej ngado. Të gjithë ishin të një mëndje se tregime si ato, ku gërshetohej me aq finesë tragjikja me komiken, nuk ishin parë deri atëherë. Dhe opinioni shkonte më tej, duke shprehur kënaqësinë se në Rusi po lindte një talent i ri dhe shumë premtues, gjë që u vu re edhe më shumë kur ai shkroi “Pronarë të mëdhenj të botës së vjetër”. Qenë këto dhe arsyet pse ai merr rrugën për në Moskë, ku i bëjnë nderimet më të mëdha, paçka se ai ishte vetëm njëzetenjë vjeç. Dy vjet më vonë e emërojnë profesor të historisë në Kolegjin e Vajzave të Universitetit Patriotik. Ishte goxha vlerësim por ai nuk shquhej për ndonjë dhunti oratorie, nda nuk ndihej mirë. Qe kjo dhe arsyeja që u tërhoq nga kjo detyrë jo e lehtë, duke pohuar sinqerisht se “Pa lavdi hipa në katedër, pa lavdi po zbres”. Viti 1835 qe mjaft i begatë për të, pasi ai shkruan papushim, dhe dalin në dritë “Mirgorod” dhe “Arabeska” . Tek i pari janë përfshirë “Taras Bulba”, “Vij”, “Tregimet për atë sesi u grind Ivan Ivanoviçi me Ivan Nikoforoviçin”, dhe ajo që përmenda më lart “Pronarë të mëdhenj të botës së vjetër”. Për ne në Shqipëri, novela, siç e ka quajtur ai (se ajo plotëson kërkesat e një romani), “Taras Bulba” ka qenë mjaft i dëshiruar. Me thjeshtësinë e përshkrimeve, me dhënien e gjithanëshme të psikologjisë kozake, me nxjerrjen para syve të asaj natyre, me intrigën brenda familjes, dhe sidomos me skalitjen e karaktereve, ku ndeshen qëndrimet e kundërta të dy vëllezërve, njëri atdhetar e tjetri që për hir të dashurisë, bëhet tradhtar dhe që i gjykon i ati, ka mbetur njëri nga librat më të dashur të çdo moshe. Kurse te “Arabeska”, ai përfshiu novelat e përkthyera aq bukur në gjuhën tonë: “Novela e Peterburgut”, “Nevskij Prospekt”, “Portreti”, “Kujtimet e një të çmenduri”, “Hunda” dhe ajo perla “Palltua” e njohur si manteli që aq shumë e kishte vlerësuar edhe Visarion Bjelinski që pranonte se të gjithë ne kemi dalë nga mënga e këtij manteli. Kurse Pushkini, kur e kishte lexuar në dorëshkrim, kishte thënë: “Sa e trishtë është Rusia jonë!”. Dhe ky trishtim nuk kishte sesi jepej më bukur e qartë sesa tek ai nëpunësi i varfër që e tallnin si kolegët ashtu dhe eprori i tij, çka e detyron të shtrëngohet dhe të blejë atë pallton e famshme, të cilën për fatkeqsinë e tij, ia vjedhin.
Po ashtu, në këtë kohë, nis puna edhe për kryeveprat e tjera, “Revizori” që u botua në vitin 1836 dhe “Shpirtat e vdekur”. Nuk besoj se ka skenë serioze teatri që të mos e ketë përfshirë në repertorin e vet këtë shfaqje e cila si kudo edhe në vendin tonë është vënë në skenë disa herë dhe tani së fundi nga regjisorja e re dhe me mjaft të ardhme Driada Dervishi, në fillim të këtij viti, me trupën profesioniste të teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Kush nga ne nuk i kujton fjalët e paharruara: “Vjen një revizor, inkonjito dhe me porosira rezervate”? Dhe pastaj, hutimin dhe trembjen e të gjithë të pranishmëve: “Një revizor?!” Të mirëpritura janë dhe komeditë e tij “Martesa” dhe “Bixhozçinjtë’. Në vitet 1837, dhe pikërisht kur vdiq poeti më i madh i Rusisë, A.S.Pushkini, Gogoli u ndodh në Paris. Kur e mësoi lajmin e kobshëm të përfundimit të atij dueli absurd, ai u pikëllua pa masë. Kur shkoi në Itali, ku qëndroi rreth dy vjet, pa folur edhe për vizitat e tij në vende të tjera si Francë, Vendet e Ulta, Zvicër, Gjermani, Austri e Çeki, u mor me shkrimin dhe përfundimin e “Shpirtra të vdekur”. Botimi i këti libri qe ngjarje e vërtetë. Gjetjet, kompozimi, stili, alegoria, sarkazma, situatat e krijuara dhe personazhet janë vetëm pjellë e një mendjeje gjeniale. Kush nuk e kujton Çiçikovin, Manillovin e plakën Koroboçka dhe nuk e merr malli t`i takojë edhe një herë ata në faqet e këtij romani. Autori, më pas, shpejtoi të shkruante edhe volumin e dytë, por si duket i pakënaqur, në një moment hezitimi a depresioni vepron padrejtësisht, ashtu sikurse kishte bërë edhe me tregimin e parë në Peterburg dhe e hedh në zjarr. Më parë, mesa duket, si reminishencë e edukimi të nënës me nderimin për shenjtorët, ai merr rrugën për Palestinë dhe viziton varrin e Krishtit. Jo shumë kohë më pas, në 21 shkurt 1852, vdes edhe vetë. E gjithë Rusia u zhyt në zi; kishte humbur njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj, atë që me penën e tij të mprehtë, duke luftuar veset e kohës, jo vetëm ngjalli besimin se më mirë do të bëhet, por dhe pushtoi emrat e lexuesve kudo që shkeli e më tej. Dhe bota, patjetër që do të vazhdojë gjatë të qeshë me fjalët e tij të hidhura.