Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën e radhës plenare. Diskutimet në seancë do të nisin me interpelancën urgjente me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj të kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës.
Ralf Gjoni, nga lista e LSI-së, dhe Myslim Murrizi, nga lista e PD-së, do t’i kërkojnë ministrit të Brendshëm shpjegime për grabitjen e ndodhur në Rinas.
Kërkesa e 11 deputetëve të opozitës ka si pyetje kryesore planin e masave të marra nga institucionet ligjzbatuese për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Në rend ditë është parashikuar gjithashtu raportimi i veprimtarisë vjetore për 2018 nga Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.
Po sot do të diskutohet dhe miratohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.