Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi ka komentuar grabitjen e 10 milion eurove në aeroportin e Rinasit. Sipas tij ngjarja e djeshme është një këmbanë alarmi për pasigurinë dramatike të aeroportit, ndërsa bën përgjegjëse qeverinë dhe gjithë institucionet shtetërore. Brozi thekson se është momenti që të anulohet koncesioni i aeroportit.
Komenti nga Zef Brozi:
Grabitja e djeshme në aeroportin e Rinasit është një këmbanë alarmi për pasigurinë dramatike në të vetmin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë.
Qeveria dhe gjithë institucionet shtetërore janë përgjegjëse për këtë situatë dhe duhet të marrin menjëherë masat e nevojshme.
Shteti ka dhënë koncesionin e aeroportit dhe ka licensuar kompaninë e sigurimit dhe policinë private. A ka pasur korrupsion në këto përzgjedhje?
A vazhdon ky koncesion të dëmtojë rëndë xhepat e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare?
Mendoj se është momenti që të anullohet ky koncesion dhe aeroporti të administrohet nga entitete shtetërore për rëndësinë kombëtare që ka.
Prokuroria duhet të hetojë pa asnjë kompromis këtë krim me pasoja të shumëanshme për Shqipërinë si dhe korrupsion në aeroport dhe kudo tjetër.