Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Spanjë, ku po merr pjesë në punimet e Samitit të tretë, të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po zhvillohet në qytetin e Granadës e ku janë të pranishëm gjithashtu, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga rreth 50 vende europiane.
Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët, të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.
Deri më tani, Komuniteti Politik Evropian ka zhvilluar dy takime. Në takimin e parë në tetor 2022, liderët europianë diskutuan kryesisht çështjet e paqes dhe sigurisë, veçanërisht luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike. Në takimin vijues në qershor 2023, ata diskutuan përpjekjet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë, qëndrueshmërinë e energjisë dhe lidhjen dhe lëvizshmërinë në Evropë.
Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Edi Rama u shpreh për mediat e pranishme:
Kryeministri Rama: Kjo është një platformë për të zhvilluar gjithashtu edhe diskutime për çështjet konkrete, por nuk është një platformë nga e cila mund të prisni që në fund të ditës të ketë një çështje konkrete, e cila merr zgjidhje apo një krizë, e cila merr zgjidhje. Është platformë e një ndërveprimi shumë të rëndësishëm.
-Jeni të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës?
Kryeministri Rama: Jam shumë i shqetësuar. Jam shumë i shqetësuar dhe të gjithë jemi shumë të shqetësuar pasi është një situatë shumë, shumë e rrezikshme dhe ka ardhur tanimë në një pikë, ku vit pas viti rreziku potencial është rritur.
Aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton kryesisht pakica serbe, përputhen tërësisht me një agjendë politike dhe me shumë nacionalizëm, kështu që është shumë, shumë e rrezikshme.
-BE ka marrë masa kundër Kosovës, por a mendoni që është koha që BE të marrë masa edhe kundër Serbisë?
Kryeministri Rama: Jo vetëm e mendoj, por për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk është linjëzuar me deklaratën e politikës së jashtme të BE, saktësisht për shkak të kësaj.
Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në dakordësi të plotë me BE dhe SHBA në raport me nevojën që autoritetet kosovare të ecin përpara dhe të jenë proaktive dhe konstruktive në dialog dhe nga këndvështrimi ynë të përfitojnë maksimalisht nga plani franko-gjerman që është absolutisht një hap mjaft i rëndësishëm përpara dhe një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë vetëm fakti që Republika e Serbisë e shpalli ditë zie kombëtare për të mbajtur zi për pjesëtarët e atij grupi kriminal paraushtarak që vrau policin, ishte e mjaftueshme për Bashkimin Europian që të çohej dhe të thoshte kjo nuk është europiane. Kjo nuk është e pranueshme. Kjo nuk është drejtësi dhe është e ndëshkueshme.
-Keni frikë se mos ketë luftë?
Kryeministri Rama: Lufta është një fjalë e madhe, por përpara se të jetë shumë vonë duhen marrë masa dhe ne po e ndjekim mjaft nga afër. Është shumë e rëndësishme që ka vullnet shumë të fortë dhe ka lëvizje brenda NATO-s për të përforcuar misionin e KFOR-it në veri sepse kufiri aty është bërë tërësisht poroz, transparent dhe të gjitha llojet e armatimeve, të gjitha llojet e trafiqeve të tjera kriminale po ndodhin. Në të njëjtën kohë, shpresojmë fort që do të rinisë dialogu.
-Tema e nesërme do të jetë edhe sugjerimi i disa vendeve anëtare për të pasur një anëtarësim të klasit të dytë.
Nuk ka një anëtarësim të klasit të dytë, por siç jemi në këtë situatë, po ka një Europë të klasit të parë dhe një Europë të klasit të dytë midis europianëve që kanë B-në bashkëlidhur dhe europianëve që kanë vetëm E-në, por nuk kanë B-në. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi realistë dhe nuk duhet të shohim gishtin, ndërkohë që tregojmë ku është hëna dhe besojmë që kjo Europë e 27-s e cila ka shumë probleme për të pasur një vendimarje kompakte, për të pasur një të menduar e planifikim strategjik, është në gjendje të zgjerohet me 33, apo 35 apo 37 së shpejti.
Në vend të gjithçka apo asgjë për ne që nuk jemi anëtarë të BE-së duhet gjetur një qasje e re. Duhen gjetur alternativa të reja që duhen marrë në konsideratë dhe sigurisht kjo ndarje brenda duhet të bëhet më shumë ndëraktive. Për shembull, fryma e komunitetit politik europian duhet dhe mund të transpozohet brenda perimetrit të Bashkimit Europian pa dhënë domosdoshmërish anëtarësimin e plotë sepse kjo nuk do të ndodhë.
/Argumentum.al