Parlamenti i Greqisë ka votuar Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Seanca maratonë që nisi ditën e djeshme, zgjati plot 38 orë dhe folën 200 deputetë.
Marrëveshja e Prespës u ratifikua në Parlamentin grek me 153 vota pro, duke përfshirë edhe votat e disa deputetëve të pavarur.
Votimi i jep fund mosëmarreveshjes 27-vjeçare Greqi- Maqedoni për emrin.
Sakaq, Zoran Zaev i cili uroi kryeministrin grek Aleksis Tsipras për atë që ai e cilëson si “fitore historike”.
“Urime miku im Aleksis Tsipras, së bashku me popujt tanë kemi arritur një fitore historike. Me jetë të gjatë marrëveshja e Prespës! Për paqen e përjetshme dhe përparimin e Ballkanit në Evropë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit maqedonas.
Pas votimit në Parlamentin grek deputetët e Agimit të Artë u ngritën në këmbë duke akuzuar deputetët që votuan ‘pro’ marrëveshjes.
Por edhe Tirana zyrtare ka reaguar.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur miratimin e marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit të Maqedonisë nga parlamenti grek.
Përmes Facebook-ut, Meta e quan atë një arritje historike si dhe një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut.