Shefi i Parlamentit të Venezuelës, Juan Guaido është vetëshpallur president i përkohshëm, ndërsa ushtria e këtij vendi e ka cilësuar këtë si një grusht shteti në zhvillim.
“Njoftoj popullin venezuelas se një grusht shteti është përgatitur kundër institucioneve, kundër demokracisë, kundër Kushtetutës tonë, kundër presidentit Nicolas Maduro, presidenti jonë i ligjshëm”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, gjenerali Vladimir Padrino në një konferencë për shtyp i rrethuar nga anëtarët e komandës së lartë ushtarake.
Në të njëjtën kohë, shef i opozitës, Juan Guaido është njohur tashmë nga shumë vende si president i përkohshëm i Venezuelës.
Por Rusia e ka dënuar ashpër SHBA-në për mbështetjen e grushtit të shtetit në Venezuelë të Juan Guaidos, i cili e deklaroi veten president.
Moska zyrtare e ka cilësuar këtë veprim një përpjekje për të “uzurpuar pushtetin” ndërsa tha se masa e shkeli ligjin ndërkombëtar dhe ishte një “rrugë e drejtpërdrejtë për gjakderdhjen”.
Ndërsa presidenti i mëparshëm, Nicolás Maduro i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të. Kujtojmë se Maduro e mori detyrën në vitin 2013 pas vdekjes së Hugo Chavez dhe u betua për një mandat të dytë.