Ekonomia shqiptare u rrit gjatë vitit të kaluar afër potencialit 4%. A i konsideroni të qëndrueshëm komponentët e rritjes dhe si e vlerësoni perspektivën afatmesme dhe afatgjatë?
Sikundër e kemi theksuar në vijimësi, në gjykimin tonë, perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive. Projeksionet tona, bazuar në informacionin e disponuar, si dhe analizat dhe modelet e parashikimit, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm e afatgjatë.
Ky konkluzion, natyrisht, pasqyron gjykimin tonë se bazat e zhvillimit të vendit janë relativisht solide. Duke përfituar nga kjo intervistë, më lejoni të sqaroj më në detaje publikun mbi treguesit dhe faktorët që e mbështesin këtë gjykim.
-Së pari, gjykimi ynë mbi perspektivat e ekonomisë shqiptare bazohet në trendet e zhvillimit të konstatuara gjatë viteve të fundit. Të dhënat e INSTAT-it, tregojnë se 2018 është viti i katërt ku rritja ekonomike e vendit mbetet në terma pozitivë, dhe madje shfaq një tendencë graduale përshpejtimi. Po ashtu, të dhënat e disponuara sugjerojnë se kjo rritje ka një bazë të gjerë, si në këndvështrimin e shpërndarjes sektoriale, ashtu dhe në terma të komponentëve të kërkesës agregate. (Kjo dinamikë ilustrohet në dy grafikët në vijim.)
Së dyti, gjykimi ynë mbi perspektivat pozitive të zhvillimit bazohet në analizën e faktorëve mbështetës të tyre. Në këtë drejtim, më lejoni të evidentoj tre elemente të rëndësishme.
- Rritja ekonomike është ankoruar në një mjedis stimulues monetar e financiar, të karakterizuar nga norma të ulëta interesi, likuiditet i bollshëm, i cili shfaq tendenca kreditimi në rritje. Ky mjedis ka pasqyruar efektin e kombinuar të stimulit monetar, konsolidimit fiskal, mbikëqyrjes e rregullimit të kujdesshëm të sektorit bankar, si dhe përpjekjet tona për përmirësimin e mjedisit të kredisë. Ai ka favorizuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, si dhe rritjen e kërkesës agregate, të punësimit dhe të pagave.
- Bilancet financiare të sektorëve kryesorë të ekonomisë: familjeve, biznesit, sektorit bankar dhe sektorit publik, janë në përmirësim apo në kontroll. Kjo dinamikë sugjeron se aftësia e ekonomisë shqiptare për të ushqyer rritjen dhe për të përballuar goditje potenciale është rritur.
- Mjedisi i huaj shfaqet relativisht i favorshëm, sidomos krahasuar me disa vite më parë, kur dy partnerët tanë kryesorë të huaj: Italia dhe Greqia ishin ngërthyer nga kriza dhe kur sistemi financiar europian ishte mjaft i dobët. Kjo nuk do të thotë se sfidat e huaja mungojnë, por – brenda parametrave të arsyeshëm të pritjeve – ato nuk do të kenë dimensionet dhe intensitetin e shkuar.
Në gjykimin tonë, faktorët e parashtruar më sipër janë të mjaftueshëm për të qenë optimistë për perspektivën e rritjes ekonomike në horizontin afatmesëm e afatgjatë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ky skenar zhvillimesh duhet marrë si i mirëqenë. Përkundrazi, ai kërkon kujdes e vëmendje në drejtim të politikave ekonomike, si dhe vullnet e gatishmëri për të adresuar rreziqet e mundshme që kemi përpara.
Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se përmbushja e këtyre parashikimeve është e kushtëzuar, apo faktorizon:
- Ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare dhe monitorimin e intensitetit të këtij stimuli, në mënyrë që normat e interesit dhe gjendja e likuiditetit në tregun bankar të jetë e përshtatshme për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve
- Ruajtjen e kahut konsolidues të politikës fiskale, si dhe vijimin e përpjekjeve për rritjen e qëndrueshmërisë dhe të efektivitetit të financave publike;
- Ekzistencën e një ambienti të favorshëm të huaj dhe, në rast goditjesh të paparashikuara, marrjen në kohë të masave për minimizimin e ndikimit të tyre; si dhe,
- Vijimin e përpjekjeve për përmirësimin e klimës së biznesit, e cila nënkupton përmirësime të mëtejshme në kuadrin ligjor e rregullator, investime në infrastrukturë dhe në cilësinë e shërbimeve publike, por edhe qetësimin e tensionit politik.
Në mbyllje, dëshiroj të përmbledh opinionin tim si më poshtë: trendi i pritur i zhvillimeve mbetet pozitiv, por garantimi i tij kërkon ruajtjen e kontureve aktuale të politikave monetare, financiare dhe fiskale, si dhe përshpejtimin e mëtejshëm të reformave strukturore.
Banka e Shqipërisë ka ndjekur që nga 2011 një politikë lehtësuese agresive monetare, duke e çuar normën bazë në 1%. Ndërkohë, ritmet e rritjes së kredisë janë ende të ulëta, me rritje reale prej 5-6% në vit. Si e shpjegoni këtë ecuri? Si do të vijojë tendenca e politikës monetare të BSH?
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë vërtet kurs tejet stimulues të politikës monetare, kurs i cili e ka sjellë normën bazë të interesit në nivelin 1%. Qëllimi i këtij aksioni ka qenë nxitja e konsumit dhe e investimeve private, nëpërmjet uljes së kostove të financimit të tyre, lehtësimi i bilanceve të bizneseve dhe familjeve huamarrëse dhe krijimi i parakushteve për një kurs të qëndrueshëm këmbimi. Në analizë të fundit, të tre këto kanale i shërbejnë rritjes ekonomike dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, në përputhje me objektivin tonë të inflacionit.
Zhvillimet ekonomike e financiare të viteve të fundit tregojnë se efektet e politikës monetare, me gjithë problemet që ka mekanizmi i transmetimit të saj, po bëhen gjithnjë e më të prekshme. Ju, me të drejtë, keni evidentuar ecurinë e kredisë për ekonominë, si një nga kanalet kryesore të transmetimit të politikës monetare.
Sa i takon ecurisë së kredisë, gjej me vend të theksoj se ky tregues ka shfaqur disa sinjale pozitive gjatë tremujorëve të fundit.
Së pari, norma e rritjes vjetore të kredisë për sektorin privat, e pastruar nga efektet kontabël të forcimit të kursit të këmbimit dhe të çregjistrimit të kredive nga bilanci, ka shfaqur një trend rritës duke qëndruar afër nivelit 6% gjatë tremujorit të parë. Po ashtu, sikundër e kemi theksuar dhe më parë, baza e rritjes së kredisë është më e gjerë, si në këndvështrimin e kompozimit valutor dhe në atë të kompozimit sektorial.
Së dyti, eficienca e kreditimit shfaqet në rritje, për sa kohë kjo është duke shfaqur një orientim më të madh drejt mbështetjes së investimeve të biznesit dhe financimit të blerjes së banesave për individët.
Në lidhje me ecurinë aktuale dhe ecurinë e kreditimit në të ardhmen, dëshiroj të ndaj me ju tre komente të shkurtra.
Si çdo tregues ekomomik, ecuria e kreditimit varet nga kërkesa dhe oferta për të. Në gjykimin tonë, nivelet aktuale të kreditimit janë – në një masë të madhe – të diktuara nga kërkesa ende e ulët dhe shpesh jocilësore për kredi. Ky zhvillim është i kuptueshëm për stadin ciklik të zhvillimit të vendit, ku bizneset dhe individët shfaqen ende hezitues në ekspozimin e tyre kundrejt kredisë bankare. Megjithatë, edhe përkundrejt kësaj kërkese të ulët, oferta e kredisë bankare shfaqet relativisht konservatore. Kjo do të thotë se bankat kanë hapësirë për një përqasje më pozitive ndaj ekonomisë, biznesit dhe konsumatorit shqiptar.
Sa i takon perspektivës, Banka e Shqipërisë gjykon se – në një horizont afatmesëm, ne do të kemi një ecuri më dinamike të kreditimit. Këtë projeksion e bazoj në rritjen e pritur të kërkesës për kredi, në përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të kreditit, por edhe në konsolidimin e sektorit bankar, i cili ka sjellë aktorë më të motivuar dhe pritet të rrisë konkurrencën në treg.
Së fundi, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë mbetet mjaft e vëmendshme ndaj ecurisë së kreditimit. Shqetësimi ynë i përhershëm ka qenë dhe mbetet fakti se kreditimi duhet t’u përgjigjet nevojave të ekonomisë, duke qenë në të njëjtën kohë i kujdesshëm dhe në përputhje me kriteret e rrezikut të bankave. Dëshiroj të risjell në vëmendjen e të gjithëve se bankat janë rojtare të pjesës më të madhe të kursimeve të publikut shqiptar dhe, për këtë arsye, përdorimi i këtyre fondeve duhet të jetë gjithnjë i kujdesshëm.
Vëmendja ndaj kreditimit
Shqetësimi ynë i përhershëm ka qenë dhe mbetet fakti se kreditimi duhet t’u përgjigjet nevojave të ekonomisë, duke qenë në të njëjtën kohë i kujdesshëm dhe në përputhje me kriteret e rrezikut të bankave. Dëshiroj të risjell në vëmendjen e të gjithëve se bankat janë rojtare të pjesës më të madhe të kursimeve të publikut shqiptar dhe, për këtë arsye, përdorimi i këtyre fondeve duhet të jetë gjithnjë i kujdesshëm.
Duke synuar një shkëmbim të hapur dhe transparent pikëpamjesh mbi këtë fenomen me sektorin bankar, gjej me vend të lajmëroj se në një të ardhme mjaft të afërt, Banka e Shqipërisë do të organizojë një takim të përbashkët me bankat tregtare që operojnë në vend, për të diskutuar mbi këto probleme.
Sa i takon politikës monetare, po përsëris dhe një herë mesazhin e fundit të Këshillit Mbikëqyrës se kjo politikë do të vijojë të jetë stimuluese e akomoduese në afatin e mesëm, në interes të mbështetjes së kërkesës agregate dhe të respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve.
Me gjithë uljen domethënëse të NPL-ve vitet e fundit, sërish Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredisë me probleme në rajon. Sa ka ndikuar në uljen e NPL-ve fshirja e kredive nga bilancet e bankave dhe sa ristrukturimi i tyre? A do të merrni reforma rregullatore në vijim për uljen e mëtejshme të këtij treguesi?
Së pari, dëshiroj të theksoj se krahasimi i raportit të kredive me probleme midis vendeve të ndryshme duhet trajtuar me kujdes, për arsye se metodologjia e matjes së këtij treguesi nuk është e standardizuar. Në një aspekt krahasues, vlerat e treguesit të kredive me probleme midis vendeve mund të shfaqin diferenca që burojnë nga metodologjia e llogaritjes dhe jo nga realiteti i fenomenit.
Më lejoni të informoj publikun e gjerë se Shqipëria përdor definicionin më rigoroz të kredive me probleme, duke mos e korrektuar nivelin e tyre me vlerën e kolateralit apo të provigjionimit (fondet rezervë të krijuara për humbjet nga kreditë). Në këtë pikë, gjej me vend të theksoj se treguesi i kredive me probleme për tremujorin e parë të vitit 2019, i korrektuar me fondet e provigjonuara, është 4,2%.
E theksoj këtë për të vënë në dukje faktin se niveli i kredive me probleme nuk është kërcënim për shëndetin e sektorit tonë bankar, ndonëse ai natyrisht mbetet problem, sepse kërkon kohë, vëmendje dhe energji menaxheriale për administrimin e tij.
Dinamika e kredive me probleme në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë, mbetet e njëjtë. Ky tregues ka një trend të qartë reduktimi, madje në Shqipëri, ky trend është më i fortë e më i dukshëm se në disa vende të rajonit. Kjo tendencë ilustrohet në grafikun e mëposhtëm.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë veprime të vazhduara dhe konkrete për reduktimin e kredive me probleme. Nga njëra anë, politika jonë monetare stimuluese ka ndihmuar përmirësimin e bilanceve të bizneseve dhe familjeve huamarrëse dhe ka rritur aftësinë e tyre paguese. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka iniciuar një strategji ndërinstitucionale, e njohur dhe si Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme, për adresimin e të gjithë faktorëve që sollën nivelin relativisht të lartë të tyre, si dhe ka marrë masa konkrete për zbatimin e angazhimeve të saj.
Kjo strategji ka synuar të adresojë në substancë shqetësimet e sektorit bankar sa i takon: posedimit dhe ekzekutimit të kolateralit, lehtësimit të procesit të ristrukturimit të kredive, si dhe përmirësimit të rregulloreve dhe infrastrukturës teknologjike që reduktojnë rrezikun e kreditimit. Së fundi, nëpërmjet akteve tona rregullatore, ne kemi kërkuar dhe nxjerrjen jashtë bilanceve të bankave të kredive të humbura, të cilat janë vetëm një pjesë e kredive me probleme, duke përafruar rregulloret tona me standardet ndërkombëtare.
Analizat tona tregojnë se në trendin rënës të kredive me probleme kanë kontribuar jo vetëm fshirja dhe ristrukturimet e kredive, të cilat në vlerësimin tonë kanë ndikuar në masë të barabartë, por dhe të gjitha aksionet e tjera të listuara më sipër.
Në shifra konkrete, portofoli i kredive me probleme ka rënë me afro 71.3 miliardë lekë (përafërsisht, 528 milionë euro) gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa treguesi i cilësisë së portofolit të kredisë shënoi nivelin 11.38% në fund të muajit mars 2019, kundrejt maksimumit prej 24% të regjistruar në shtator 2014.
Ambienti i kreditimit paraqitet tashmë i përmirësuar dhe rreziku i kreditit i reduktuar: përmirësimi i aktivitetit ekonomik ka rritur aftësinë paguese të huamarrësve; përmirësimet ligjore e rregullatore kanë reduktuar probabilitetin e shfaqjes së kredive me probleme; dhe, në rast se këto shfaqen në të ardhmen, kuadri i amenduar ligjor dhe rregullator ka lehtësuar posedimin dhe ekzekutimin e kolateralit nga bankat.
Megjithatë, në vlerësimin tonë, niveli ende dyshifror i treguesit të kredive me probleme mbetet ende i lartë. Për këtë qëllim jemi duke punuar, në konsultim të vazhdueshëm dhe me industrinë bankare, për të tjera masa rregullatore e mbikëqyrëse për uljen e mëtejshme të këtij treguesi.
Së afërmi, bazuar në shembujt e praktikat më të mira ndërkombëtare, synojmë plotësimin e kuadrit tonë rregullator me parime dhe udhëzime për ristrukturimin jashtëgjyqësor të klientëve problematikë (atëherë kur kjo do të jetë e mundur), duke nxitur dhe duke vënë theksin në trajtimin e kredimarrësve në vështirësi financiare, nëpërmjet një bashkëpunimi të strukturuar dhe eficient ndërmjet bankave. Padyshim, ulja e mëtejshme e këtij treguesi kërkon komunikim të vazhdueshëm me industrinë bankare, gjë të cilën Banka e Shqipërisë e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë rregullisht, pasi i shërben rritjes së efikasitetit të bankave në administrimin më të mirë të portofolit të kredisë.
Nga ana tjetër, vëmendja jonë është drejtuar dhe te ruajtja afatgjatë e cilësisë së kredisë. Kjo kërkon kujdesin e duhur nga bankat në dhënien e kredive të reja, forcimin e strukturave të rikuperimit të kredive me probleme, si dhe rritjen e cilësisë së sistemeve të tyre të brendshme për administrimin e rrezikut të kredisë.
Në mars të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi një politikë të dedikuar de-euroizimi! Çfarë efekti konkret ka pasur politika juaj e de-euroizimit? Po ashtu, Bankierët kanë pohuar në intervistat e tyre se Banka e Shqipërisë i ka ezauruar masat e saj dhe duhen ndërhyrje më të rrepta dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera, duke propozuar që transaksionet e mëdha të bëhen vetëm me monedhën vendase. Si i vlerësoni ju këto propozime dhe çfarë masash shtesë pritet të ndërmerrni në bashkëpunim me institucionet e tjera?
Efektet e observueshme të masave tona në kuadrin e strategjisë së de-euroizimit janë në linjë me pritjet tona dhe nuk janë ende indikativë të efektivitetit afatgjatë të saj. Dëshiroj të sjell në vëmendje të publikut se – që në momentin e lançimit – Banka e Shqipërisë ka theksuar se:
- kjo nuk është luftë ndaj çdo lloj forme apo niveli të përdorimit të euros në sistemin financiar. Ajo nuk synon “zhdukjen” e përdorimit të euros në ekonomi apo në sistemin financiar, por reduktimin apo kufizimin e përdorimit të panevojshëm apo të dëmshëm të saj.
- ky është një projekt i cili pritet t’i japë frytet e veta në afatin e mesëm e të gjatë; dhe se,
- efektet e tij do të bëhen më të prekshme nëse shoqërohen me masa të tjera, të cilat janë jashtë sferës së aktivitetit të Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye, nisur nga koha e pakët e projektit, gjykoj se është ende herët të diskutojmë efektin apo suksesin e tij.
Megjithatë, në interes të publikut, më lejoni të shpjegoj dhe një herë pozicionin tonë ndaj fenomenit të përdorimit të lartë të monedhave të huaja.
Përdorimi i lartë i monedhës së huaj (euroizimi) redukton efektivitetin e funksionit stabilizues të politikës monetare e fiskale, si dhe tenton të bëhet premisë për destabilitet financiar, në rast të luhatjeve të mëdha e të forta të kursit të këmbimit. Ky nuk është një konstatim teorik; ai është një realitet i observuar në mjaft vende në stade të ngjashme zhvillimi, si Hungaria, Polonia, etj.. dhe diçka për të cilën ne dhe institucionet e tjera politikëbërëse jemi të ndërgjegjshëm.
Më konkretisht, niveli i lartë i euroizimit redukton sferën e veprimit të politikës monetare; për sa kohë kjo e fundit nuk është në gjendje të kontrollojë çmimet e produkteve financiare të denominuara në monedhë të huaj, si dhe sjell luhatje të mëdha të treguesve të borxhit publik, duke u bërë premisë për modifikime të padëshiruara të kursit të politikës fiskale.
Nga ana tjetër, në rast të luhatjeve të mëdha të kursit, ekspozimi i pastudiuar dhe i pambrojtur ndaj huamarrjes në valutë dëmton bilancet e bizneseve dhe familjeve, shfaq transferim të paparashikuar të fuqisë blerëse midis sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si dhe mund të dëmtojë bilancet e sektorit financiar. Të gjithë këto kanale rrisin vulnerabilitetet financiare të vendit.
Pikërisht për këto arsye, si Komisioni Europian, në kuadër të procesit të dialogut që kemi në rrugën e integrimit europian, ashtu dhe FMN, në kuadër të diskutimeve të vazhdueshme për Artikullin IV, na kanë rekomanduar në vazhdimësi marrjen e masave konkrete për zbatimin e këtij fenomeni.
Në mënyrë që të adresohen rreziqet e mësipërme, në prill 2017, midis Qeverisë Shqiptare, Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, u miratua një Memorandum Bashkëpunimi për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Ky dokument njihet ndryshe edhe si Strategjia ndërinstitucionale për de-euroizimin. Nëpërmjet këtij dokumenti, institucionet nënshkruese të tij, njohin fenomenet negative që sjell përdorimi i lartë i monedhës së huaj dhe angazhohen të marrin masa konkrete, sipas fushave të tyre të kompetencës, në nxitje të përdorimit të lekut.
Mbi bazën e Strategjisë, Banka e Shqipërisë miratoi disa masa si pjesë e paketës së shkurtit 2018. Këto masa përfshinin të dy kahet e bilancit të bankës, ku në krahun e detyrimeve përfshihej diferencimi i normës së rezervës së detyrueshme midis valutës (u rrit) dhe lekut (u ul), ndërsa në krahun e aktiveve të bankës u vendosën kërkesa më të larta për aktivet likuide në valutë, si edhe për rritjen e ndërgjegjësimit të huamarrësve në valutë ndaj rrezikut të këtij ekspozimi. Këto masa, hynë në fuqi në mënyrë të fazuar, ku më e fundit prej tyre, ndryshimi i normës së rezervës së detyrueshme, hyri në fuqi në qershor 2018.
Banka e Shqipërisë ka identifikuar disa tregues bazë për të monitoruar ndikimin e masave, të cilët përfshijnë ecurinë e peshës së depozitave në valutë, ecurinë e aktiveve likuide në valutë, ecurinë e peshës së kredive në valutë etj.. Deri tani, janë publikuar 2 raporte periodike për këtë qëllim, konkluzionet e të cilave mund t’i lexoni në faqen tonë të internetit.
Ajo që gjej me vend të theksoj është se, në tërësi, vlerat e treguesve të përdorimit të monedhës euro mbeten të shmangura nga vlerat mesatare e treguesve për vende me ekonomi të ngjashme si Shqipëria. Ndaj, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që përpjekja për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, përfaqëson një proces afatgjatë, për të cilin duhet punuar në mënyrë të koordinuar dhe në vijimësi.
Lidhur me veprimet e mundshme për t’u ndërmarrë dhe nga institucionet e tjera, mendoj se kjo mbetet të përcaktohet nga vetë ata. Banka e Shqipërisë vlerëson se duhet të ketë një qasje graduale dhe objekt i masave të jenë rastet/transaksionet/sektorët, ku përdorimi i valutës është i tepërt dhe i pajustifikuar nga veprimtaria ekonomike e subjekteve. Të gjitha institucionet nënshkruese të Strategjisë, janë të vetëdijshme për nevojën e veprimit në mënyrë të përbashkët dhe të koordinuar.
Kjo është bërë e dukshme në diskutimet e posaçme që janë zhvilluar në mbledhjet e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, më e fundit në prill 2019. Në këtë mbledhje, Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) e konsideroi të rëndësishme t’i japë përparësinë e nevojshme këtij procesi. Për sa na përket ne, për aq sa është brenda kompetencës sonë, si institucion jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm.
Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë se deficiti i llogarisë korrente nuk ka shënuar ndonjë përmirësim të dukshëm në periudhën 2016-2018. Si e shpjegoni forcimin e ndjeshëm të monedhës vendase gjatë kësaj periudhe? Si pritet ecuria e kursit në periudhën në vijim?
Banka e Shqipërisë i ka bërë prezente konkluzionet e analizave të saj mbi arsyet që kanë ndikuar në forcimin e kursit të këmbimit. Me kënaqësi kam konstatuar se këto konkluzione i kanë rezultuar testit të kohës dhe vlerësimet tona kanë informuar në mënyrë korrekte qëndrimin e politikës monetare ndaj kursit të këmbimit.
Megjithatë, për interes dhe respekt të lexuesit, po i përmbledh si më poshtë.
Trendi forcues i kursit të këmbimit, i iniciuar prej vitit 2015, i detyrohet veprimit të kombinuar të dy faktorëve: përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve ekonomike dhe financiare me jashtë – apo bilancit të pagesave, dhe reduktimit të primeve të rrezikut në tregun e brendshëm financiar. Më konkretisht:
- Bilanci i pagesave ka rezultuar në përmirësim të vazhdueshëm gjatë tre viteve të fundit. Ky përmirësim pasqyron jo vetëm reduktimin e deficitit të llogarisë korrente (shih Grafikun 7), ku fokusohet pyetja juaj, por edhe nivelet e larta hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte. Në një këndvështrim të përgjithshëm, ajo që ka rëndësi për kursin është raporti i kërkesës dhe ofertës për valutë, dhe kjo diktohet jo vetëm nga aktivitetet tregtare me jashtë – që përafrohen nga deficiti i llogarisë korrente – por edhe nga ato financiare, që përfarohen nga llogaria kapitale e financiare e bilancit të pagesave. Për Shqipërinë, shkëmbimet tregtare me jashtë kanë rezultuar në një tepricë hyrjesh valutore gjatë viteve të fundit – të ardhurat nga Investime të Huaja Direkte apo burime të tjera – kanë qenë më të mëdha se deficiti i llogarisë korrente (shih Grafikun 4), të cilat kanë ushtruar presion për forcimin e kursit.
- Paralelisht me to, përmirësimi i treguesve të shëndetit të sektorit bankar dhe vendosja e kontrollit mbi financat publike, kanë rritur besimin në qëndrueshmërinë e monedhës kombëtare dhe kanë reduktuar primet e rrezikut për të investuar në të.
Këto zhvillime kanë mbështetur forcimin e kursit të këmbimit gjatë viteve të fundit, por, siç e kemi theksuar, ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për të shpjeguar forcimin e tij gjatë vitit 2018. Analizat tona kanë treguar se ky forcim i shpejtë i detyrohet çrregullimeve specifike të tregut valutor – të cilat kulmuan në krijimin e pritjeve të njëanshme për forcim të kursit dhe në ndryshimin e sjelljes së operatorëve të këtij tregu. Kjo prodhoi dhe forcimin e shpejtë të kursit, me një intensitet i cili kulmoi në tremujorin e dytë të vitit të shkuar. Banka e Shqipërisë ka dhënë sqarime të detajuara mbi këta faktorë dhe unë nuk dëshiroj të ndalem më gjatë në ta.
Megjithatë, ajo që gjej me vend të them, është se interpretimi i zhvillimeve edhe këtë herë ishte korrekt nga ana jonë, dhe kjo dëshmohet nga suksesi që pati ndërhyrja që bëmë në tregun valutor. Kjo ndërhyrje u motivua pikërisht nga konstatimi se forcimi i kursit të këmbimit nuk ishte më në linjë me fondamentet dhe se ky forcim mund të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve. Ndërhyrja që ne kryem, ndonëse ishte e kufizuar në kohë dhe madhësi, në përputhje dhe me regjimin e politikës monetare dhe atë të kursit të këmbimit, arriti të qetësojë tregun.
Në lidhje me të ardhmen e kursit, më duhet të theksoj se – në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit në Shqipëri – ne rezervohemi në dhënien e projeksioneve. Në çdo rast, ecuria afatmesme dhe afatgjatë e kursit është dhe do të mbetet funksion i raportit të kërkesës dhe ofertës në tregun valutor, dhe jo objektiv i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, për lexuesit mund të theksoj se – bazuar në informacionin aktual – Banka e Shqipërisë nuk sheh arsye të qenësishme për lëvizje të forta dhe të shpejta të kursit.
Ka gjithmonë një pakënaqësi nga klientët në lidhje me cilësinë dhe koston e shërbimeve bankare, teksa jemi njoftuar se Banka e Shqipërisë po punon mbi një kuadër të ri rregullator në këtë drejtim. Çfarë përfitimesh do të kenë qytetarët?
Si fillim, do të doja të theksoja se cilësia, por veçanërisht kostot e shërbimeve bankare, kanë si faktor përcaktues kërkesën dhe ofertën në treg. Si rregullatorë dhe mbikëqyrës të sistemit bankar, ne monitorojmë në vazhdimësi korrektesën e transparencën në marrëdhëniet me klientët, dhe sigurisht ndërhyjmë në rastet kur është e nevojshme. Sidoqoftë, dua të ritheksoj se në kompetencën e Bankës së Shqipërisë është shqyrtimi i respektimit të kontratës midis bankës dhe klientit, por jo vlera (ose ndryshe çmimi) e një produkti apo shërbimi të caktuar. Përcaktimi i çmimeve është atribut i tregut dhe i negociatës midis klientit dhe subjektit bankar.
Megjithatë, së fundmi, ne kemi ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, në kuadër të efikasitetit të shërbimeve të ofruara nga tregu, të cilët synojnë rritjen e mëtejshme të transparencës në shërbimet e ofruara dhe krijimin e një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit. Dëshiroj të theksoj këtu se ne nuk do të zëvendësojmë rolin që luajnë autoritetet përgjegjëse në këtë fushë por, bazuar edhe në ndryshimet e fundit të legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit, Banka e Shqipërisë do të ketë një rol aktiv dhe të drejtpërdrejtë edhe në këtë drejtim.
Në aspektin e transparencës që duhet të kenë bankat ndaj klientëve në lidhje me cilësinë dhe koston e shërbimeve bankare e financiare, Banka e Shqipërisë ka hartuar disa rregullore. Në rregulloren nr. 59, datë 29.08.2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, e ndryshuar, përcaktohen elementet minimale që duhet të përfshihen në kontratat e produkteve të bankave, informacionin që duhet t’i jepet klientit në lidhje me marrëveshjet e kredisë, elementet minimale që duhet të përmbajnë promocionet që kryhen nga bankat, njoftimi i klientëve për ndryshimet e kushteve të punës dhe normave të interesit, publikimi i këtyre të fundit në ambientet e bankës dhe në faqen e tyre zyrtare, hartimin dhe miratimin e një metodologjie/politike për llogaritjen e normave të interesit dhe komisionet që aplikojnë për produktet e shërbimet bankare e financiare, etj.
Po ashtu, në rregulloren nr. 48, datë 01.07.2015 “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, e ndryshuar, Banka e Shqipërisë përcakton detyrimin që kanë bankat për t’i paraqitur konsumatorit informacionin parakontraktor përpara nënshkrimit të kontratës së kredisë, të drejtat dhe detyrimet e klientit në marrëveshjet e kredisë, etj.
Gjatë procesit të mbikëqyrjes në vend e nga jashtë të subjekteve, Banka e Shqipërisë kryen vlerësimin e nivelit të zbatueshmërisë nga subjektet të kuadrit rregullator të lartpërmendur, duke vlerësuar të gjithë elementet e mësipërme. Nga inspektimet e kryera nga Banka e Shqipërisë konstatohet përgjithësisht një nivel i kënaqshëm përputhshmërie nga ana e subjekteve me kërkesat dhe detyrimet rregullative.
Nga ana tjetër, në fushën e pagesave, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë, së bashku me Komitetin Kombëtar të Sistemit të Pagesave, ka ndërmarrë hapa për reformimin dhe modernizimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël. Për të qartësuar publikun e gjerë, pagesat me vlerë të vogël nënkuptojnë pagesat e kryera nga konsumatorët dhe bizneset në përditshmërinë e tyre.
Në këtë drejtim, ne jemi angazhuar në zbatimin e një strategjie afatmesme (2018-2023), e cila synon krijimin e një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave, që përmbushin nevojat e përdoruesve të aftë financiarisht për të kryer pagesa në të gjithë vendin. Më konkretisht, si objektiv të matshëm, strategjia synon zgjerimin e popullsisë që zotëron një llogari bankare dhe rritjen e numrit të pagesave elektronike për frymë.
Arritja e objektivave të sipërcituar parashikohet të materializohet nëpërmjet një sërë masash nga pikëpamja e plotësimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullativ.
Një hap mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim konsiderohet finalizimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili transpozon direktivën e rishikuar të Bashkimit Europian “Për shërbimet e pagesave” (PSD2). Sikurse kemi theksuar dhe në komunikime të tjera, vlerësojmë se miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji do të ndikojë drejtpërdrejt në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël, duke promovuar kështu efikasitetin e tyre dhe reduktimin e kostove që mbart përdorimi i tyre. Në këtë drejtim, zhvillimi kryesor mendoj se është krijimi një ambienti konkurrues në ofrimin e shërbimeve të pagesave midis bankave dhe institucioneve financiare jo-banka, duke lejuar këto të fundit të hapin llogari pagese dhe të emetojnë instrumente elektronike të pagesave.
Megjithatë, puna e ndërmarrë deri më tani mund të konsiderohet vetëm fillimi. Në periudhën në vijim, ne do të intensifikojmë më tej përpjekjet ku, si një masë të rëndësishme do të veçoja dhe hartimin e projektligjit “Për llogarinë e pagesave” në periudhën afatmesme. Projektligji në fjalë do të transpozojë Direktivën e Bashkimit Europian “Për llogarinë e pagesave” dhe vlerësohet se do të kontribuojë në prezantimin e “llogarisë bazike”, e cila nuk ka kosto, ose mbart kosto minimale për konsumatorët që nuk zotërojnë një llogari.
Gjithashtu, direktiva nxit transparencën, duke krijuar një regjistër publik për të gjitha komisionet e aplikuara nga institucionet dhe në një mënyrë lehtësisht të krahasueshme. Ky zhvillim vlerësohet të kontribuojë më tej në nismën aktuale të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim.
Padyshim që, me synimin që impakti në treg të përçohet në mënyrën më efikase të mundshme, përmirësimet ligjore e rregullative do të shoqërohen edhe me zhvillime infrastrukturore, të tilla si instant payment, Switch-i Kombëtar, Sistemi i Shlyerjes së euros për transaksionet brenda vendit etj.
Rritja e rrezikut operacional pas ngjarjeve të fundit në Rinas, a ndikon stabilitetin financiar në vend, pasi ajo po vijon me një efekt domino në aktivitetin e bankave, sidomos me investimin e likuiditeteve në valutë dhe rritjes së kostove në këtë drejtim? Si pritet të zgjidhet transporti i parave jashtë vendit?
Grabitja e vlerave monetare brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë muajin e kaluar, sigurisht që ishte një ngjarje e rëndë. Në një plan afatshkurtër, ajo tronditi opinionin dhe rezultoi në ndërprerjen e transportit të valutës fizike brenda dhe jashtë vendit, një proces ky i cili është normal dhe i nevojshëm për sektorin bankar. Si rrjedhojë, në ditët e para pas ngjarjes, shume klientë mund të kenë vërejtur se disa prej bankave mund të kenë qenë më hezituese për të pranuar valutë. Në një plan më afatgjatë, përsëritja e vazhduar e këtyre fenomeneve mund të sjellë kosto shtesë për sektorin bankar dhe – më tej – për ekonominë shqiptare, në formën e rritjes së kostos së ndërmjetësimit të sektorit bankar.
Menjëherë pas ngjarjes, Banka e Shqipërisë vendosi një komunikim të rregullt dhe të posaçëm me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me banka të veçanta. Po ashtu, në vijim janë marrë masa të rëndësishme për shtimin e sigurisë dhe menaxhimit të një niveli më të lartë të riskut në çdo hallkë të zinxhirit operacional të lëvizjes së fondeve deri në destinacionin final.
Si pritet të ndikojë konsolidimi i sistemit bankar në ecurinë e sistemit dhe cilësinë e shërbimeve e produkteve për konsumatorët? Si e vlerësoni largimin e bankave me kapital perëndimor? Konkretisht sa interes paraqet sistemi bankar shqiptar për investitorët?
Edhe kjo është një tjetër çështje që ka nevojë për disa saktësime. Së pari, dua të risjell në kujtesën tuaj dhe të lexuesve që konsolidimi i sistemit bankar është një fenomen të cilin e kam paralajmëruar se do të ndodhte, që në ditët e mia të para si Guvernator. Pra, ai nuk është surprizë për Bankën e Shqipërisë dhe për mua në veçanti.
Përkundrazi, konsolidimi është një proces tejet normal, i cili ka ndodhur në shumë vende të rajonit apo edhe Europës Perëndimore, dhe i cili ishte i nevojshëm në mendimin tim. Ky proces thjesht është finalizuar gjatë dy viteve të fundit, por përpjekjet e bankave për shitje apo shkrirje me bankat e ekzistuese kanë filluar disa vite më herët.
Së dyti, arsyet kryesore të këtyre zhvillimeve nuk kanë të bëjnë me Shqipërinë në vetvete apo çështje / problematika specifike të ekonomisë shqiptare apo sistemit bankar shqiptar, por janë më tepër të lidhura me ndryshimet në strategjitë dhe modelet e biznesit të grupeve mëmë europiane. Kështu, Banka Credit Agricole dhe ajo Societe Generale vendosën tërheqjen nga i gjithë rajoni. Bankat me origjinë kapitali nga Greqia ndoqën planet e ristrukturimit të bankave mëmë dhe strategjinë e vendosur nga BQE-ja. Disa banka ekzistuese dolën nga tregu shqiptar, ndërsa të tjera banka u ofruan dhe po shfrytëzojnë mundësitë për një rritje të mëtejshme të pjesës së tyre të tregut.
Si rrjedhojë, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018 e në fillim të vitit 2019, u finalizuan disa transaksione shitjeje dhe përthithjeje. Banka Veneto u përthith nga Banka Intesa në Shqipëri; Banka Kombëtare Greke u përthith nga Banka Amerikane e Investimeve; Shoqëria Balfin sh.p.k dhe Comercijalna Banka në Maqedoni morën pronësinë e Bankës Tirana; Banka Hungareze OTP mori në zotërim 100% të aksioneve të Bankës Societe Generale në Shqipëri; dhe Banka Union bleu 100% të aksioneve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare.
Si pasojë e këtyre proceseve, numri i bankave zbriti në 14 dhe pritet të zbresë më tej, në 12, deri në fund të vitit, vetëm pas materializimit të strategjisë së synuar të Bankës Union për përthithjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare (e njohur si banka malajziane) dhe përfundimit të likuidimit vullnetar të Bankës së Kreditit të Shqipërisë.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme se këto zhvillime të rëndësishme paraqesin sfida, kanë implikime në strukturën e sistemit bankar, aspektet konkurruese të tij dhe profilin e pronësisë së bankave të reja. Shkrirjet dhe bashkimet e ndodhura ndërmjet bankave ekzistuese, ku dominojnë dukshëm bankat e grupit të mesëm, sipas mendimit tonë premtojnë një konkurrencë të shtuar në treg, përmirësim të efektivitetit të veprimtarisë bankare dhe për pasojë dhe rritje të cilësisë së shërbimeve dhe produkteve bankare.
Gjithashtu, këto transaksione të bashkimit dhe riorganizimit ndërmjet bankave ekzistuese nuk ndryshojnë në thelb profilin e pronësisë së bankave. Ndërsa në rastet e tjera, të blerjeve të bankave ekzistuese nga aksionerë të rinj, Banka e Shqipërisë ka vepruar në përputhje të plotë me kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullativ në fuqi.
Bazuar në rolin dhe misionin e saj, Banka e Shqipërisë ka qenë mjaft e vëmendshme ndaj këtyre zhvillimeve dhe i ka monitoruar ato në çdo hap. Dhe më tej, ne do të jemi mjaft vigjilentë për të ndjekur nga afër praktikat e drejtimit të bankave “të reja” dhe për këtë, kemi ngritur kapacitetet e nevojshme, dhe kemi planifikuar përmirësimin e vazhdueshëm të tyre, në funksion të përmbushjes së misionit tonë.
Banka e Shqipërisë do të vijojë me përmirësimin e kuadrit rregullator e mbikëqyrës, duke synuar përafrimin me direktivat europiane, me praktikat më të mira ndërkombëtare, standardet e Komitetit të Bazelit dhe të BE-së dhe duke pasur në fokus të punës së saj standardet më të fundit për mjaftueshmërinë e kapitalit, për administrimin e rrezikut të likuiditetit, për ekspozimet e mëdha, rregullimin e bankave sistemike, rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka etj.
Në gjykimin tonë, konsolidimi që po përjetojmë shënoi një hap pozitiv në historinë e bankingut shqiptar dhe dëshmoi njëkohësisht se ka interes nga aktorë të ndryshëm drejt tregut vendas. Si shembull, mund të sjell rastin e Bankës Societe Generale, e cila u ble nga OTP, një bankë europiane hungareze kjo, me reputacion dhe pozitë dominuese në rajon.
Bankat “e reja”
Ne do të jemi mjaft vigjilentë për të ndjekur nga afër praktikat e drejtimit të bankave “të reja” dhe për këtë, kemi ngritur kapacitetet e nevojshme, dhe kemi planifikuar përmirësimin e vazhdueshëm të tyre, në funksion të përmbushjes së misionit tonë. Banka e Shqipërisë do të vijojë me përmirësimin e kuadrit rregullator e mbikëqyrës, duke synuar përafrimin me direktivat europiane dhe duke pasur në fokus të punës së saj standardet më të fundit për mjaftueshmërinë e kapitalit, për administrimin e rrezikut të likuiditetit, për ekspozimet e mëdha, rregullimin e bankave sistemike, rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka etj.
Në rolin e këshilltarit ligjor të Qeverisë, çfarë sugjeron banka në drejtim të reformave që duhen të ndiqen në mënyrë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse?
Më lejoni të theksoj se, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, Banka e Shqipërisë është këshilltar i qeverisë për çështje të cilat prekin sferën e veprimit të Bankës së Shqipërisë, pra ndikojnë në politikën monetare apo tregjet financiare.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi vizionin tonë mbi prioritetet afatmesme e afatgjata të zhvillimit të vendit, vizion të cilin, në jo pak raste, e kemi bërë edhe publik.
Në vija të përgjithshme, zhvillimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i vendit kërkon aksione të mëtejshme në dy drejtime kryesore, të cilat mbeten gjithsesi komplementare në afatin e gjatë.
Drejtimi i parë ka të bëjë me përshpejtimin e ritmit potencial të rritjes ekonomike. Kjo “rritje shpejtësie” është e nevojshme për të bërë të mundur që frytet e rritjes ekonomike të jenë më të prekshme për shoqërinë shqiptare dhe që konvergimi me standardet e Bashkimit Europian të jetë më i shpejtë. Ai kërkon reforma të mëtejshme strukturore në të tre dimensionet që ndikojnë rritjen ekonomike:
- në përmirësimin e produktivitetit, nëpërmjet promovimit të konkurrencës, luftës ndaj informalitetit, investimit në arsim dhe në teknologjitë e reja, si dhe çdo instrument i cili nxit adoptimin e teknologjive dhe proceseve të përparuara të prodhimit;
- në nxitjen e investimeve, çka kërkon ndër të tjera: përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte; përmirësimin e aksesit në financë; zhvillimin infrastrukturës dhe integrimin e saj me atë rajonale dhe europiane; si dhe, zgjerimin e tregjeve, nëpërmjet hapjes së kufijve dhe reduktimit të barrierave në tregti;
- në përmirësimin e pjesëmarrjes dhe kualifikimit të fuqisë punëtore, nëpërmjet politikave proaktive në tregun e punës.
Drejtimi i dytë ka të bëjë me rritjen e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, e cila në vetvete nënkupton përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e nënligjor, forcimin e institucioneve publike që kujdesen për monitorimin e sistemit financiar dhe të financave publike, si dhe në përmirësimin e mëtejshëm të koordinimit të tyre.
Reformat strukturore të kësaj natyre kërkojnë kohë të japin fryte dhe këto fryte shpesh paraprihen nga kosto afatshkurtra. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka theksuar në vazhdimësi që ky proces reformimi i ekonomisë duhet të ankorohet në një objektiv të qëndrueshëm e afatgjatë, i cili gëzon konsensus të gjerë politik e social, siç është integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
Disa vite më parë, Banka e Shqipërisë pati hapur një debat në lidhje me rishikimin e modelit ekonomik në vend, nga konsumi dhe ndërtimi, te prodhimi dhe eksporti. A mendoni se Shqipëria po ndjek modelin e duhur të zhvillimit ekonomik dhe sipas Jush a ka vend për ndryshim të modelit?
Debati i nisur nga Banka e Shqipërisë u motivua nga dobësitë strukturore të identifikuara nga goditja që pësoi ekonomia shqiptare prej krizës botërore ekonomike dhe financiare të viteve 2008-2009. Më konkretisht, ajo lidhej me faktin se, në këndvështrimin sektorial, burimet e rritjes ishin relativisht të ngushta. Për më tepër, struktura e ekonomisë shqiptare ishte e orientuar drejt shërbimit të tregut të brendshëm dhe relativisht, pak e hapur ndaj eksportit.
Mendoj se debati i nisur pati efekt pozitiv në krijimin e stimujve për një reflektim të përgjithshëm të aktorëve ekonomikë, publikë e privatë. Nëse shohim sot, mjaft ndër fenomenet negative të vëna re përpara vitit 2008 nuk janë më të pranishme. Alokimi i fondeve nga sektori bankar është më i kujdesshëm, e madje ndoshta më i kujdesshëm sesa duhet. Po ashtu, vëmendja menaxheriale është më e orientuar drejt sektorëve prodhues sesa ishte një dekadë më parë, ndërsa infrastruktura, klima e biznesit dhe cilësia e shërbimeve publike kanë shënuar progres.
Përmirësimet strukturore të ndodhura janë padyshim një zhvillim i mirëpritur, ndonëse natyrisht ka vend për përmirësime të mëtejshme.
Megjithatë, ajo që gjej me vend të theksoj është se ndërhyrja jonë në modelin e rritjes nuk synonte dhe nuk synon të ndryshojë filozofinë e procesit: në një ekonomi të tregut të lirë, është sektori privat ai që duhet të marrë nismën dhe të kujdeset për destinacionin më fitimprurës të kohës, mundit dhe fondeve të tij.
Roli dhe detyra e institucioneve është të vendosin dhe zbatojnë rregullat e lojës, të promovojnë konkurrencën e drejtë e të ndershme brenda sektorëve të caktuar, të krijojnë premisa të barabarta suksesi në të gjithë sektorët ekonomikë dhe shtresat e gjera sociale, si dhe të ruajnë stabilitetin ekonomik e financiar të vendit. Përvoja botërore tregon se kjo është filozofia e vetme, e cila krijon garanci suksesi në afatin e gjatë. – monitor