Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Gregor NOTI
Tashmë është pothuajse e sigurt se më 18 Tetor Këshilli i BE-së do ta thotë « PO » për çeljen e negociatave të antarësimit tonë në BE. Veçse një « PO » të vakët, jo me gërma të mëdha, larg pritshmërive tona; një « Po » që nuk ngjall shpresë dhe entusiazëm. Po, është një « Po » që në vend të të ngrohë, të ftoh, madje të fut mornica në trup. Sepse siç e tregon dhe rasti gjerman ajo pritet të shoqërohet me jo pak, por me nëntë kushte, të cilat është pak t’i quash » patate përvëluese » Gjithsesi, urojmë që deri më 18 Tetor ato të mos shtohen, as nga Bundestagu gjerman më 26 Shtator dhe as nga parlamentet e vendeve të tjera.
Mjafton t’i hedhsh një sy qoftë dhee kalimthi nëntë kushteve gjermane dhe bindesh lehtë se kjo do të jetë një « Po » nga halli, më tepër për të larë gojën; sepse siç është përmendur më parë edhe te Argumentum, për shkaqe gjeopolitike dhe pragmatike të BE-së, një « Jo » do të zhbënte jo vetëm arritjet tona, por dhe të Komisionit Evropian dhe të 27 vendeve antare, procesin e Berlinit, do të nxiste Rusinë, Kinën, etj.
Ndaj Po-ja, ashtu e dobët dhe gjysmake është varianti më optimal. Ndonëse kemi tre vjet që presim me shphresë, një « Po » e tillë është për shkak të problematikës shqiptare që sa vjen e rëndohet, përballë kundërshtimit të Francës, Holandës, Danimarkës e të ndonjë vendi tjetër, por dhe të alergjisë në vendet antare ndaj zgjerimit drejt Ballkanit, për shkak të shqetësimeve publike serioze që kemi krijuar në ato vende.
Ndaj, dhe është menduar si kompromisi dhe alternativa më e mirë një « Po » e dobët e shoqëruar me shumë kushte.
Po përse kjo « tortë » e bukur sikurse është propaganduar deri tani mund të katandiset në një « hallvë të ftohtë » ? Sepse i tillë është « katalogu » i hidhur i kushteve që nuk janë një e dy por shumë më shumë. Kërko dhe nuk do të gjesh dot një qelizë apo « skutë » të vetme të jetës sonë të paprekur nga këtoi kushte sfiduese. Duket qartë se me atë « Po », BE-ja po na e ve me shumë lezet dhe me finesën e saj të njohur diplomatike « kufirin te thana » Eshtë e pamundur të vesh dorën e të thuash se cila nga këto kushte është më e lehtë dhe më e shpejtë për t’u realizuar? Po, krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë duket vërtet çështje muajsh. Ndaj le ta marrim për të mirëqenë. Po vendimi i saj lidhur me zgjedhjet e shumëdiskutuara të 30 Qershorit sa kohë do të dojë? Po penalizmi i prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kaluar vettingun ? Po nxjerrja përpara drejtësisë e atyre që kanë abuzuar me shitblerjen e votës ? Po lufta kundër krimit dhe korrupsionit e sidomos kapja dhe nxjerja përpara drejtësisë e « peshqve të mëdhenj » ? E patë rastin « Tahiri » se çndodhi kur po bëhën tre vjet. Po reformimi i administratës publike ?
Le pastaj reforma zgjedhore që duhet përfunduar brenda muajit dhjetor, kur forcat kryesore politike janë ngulur në « llogoret « e tyre politike dhe as nuk duan t’ia dinë ? Po ja u bë dhe reforma zgjedhore « me hir apo me pahir » në dhjetor apo janar. Mirëpo kushti tjetër i pritshëm është zbatimi i saj, dmth zhvillimi i zgjedhjeve të reja, të përkohshme ose dhe të rregullta më 2021, apo përsëritja e zgjedhjeve lokale në vartësi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese? Kësaj i thonë « hiç, hiç, po Abili vdiq »
Ja pse kjo « Po » e pritshme nuk të qetëson dhe ngushëllon. Sepse dhe në rast se na janar do të çelen negociatat, nuk ka kurfarë garancie se ato nuk do të ndërpriten
nga BE-ja kur të shihet se këto kuste nuk po plotësohen, siç ka ndodhur me Serbinë. Ndaj kjo « Po » mezi mbahet në këmbë, ajo është e dyshueshme, pezulluese dhe më shumë mohuese se sa pohuese. Madje, nisur nga përvoja jonë në të kaluarën, ajo « Po » mund fare të lehtë të kthehet në një « Jo » të qartë për ne.
Gjithsesi, duhet t’ia dimë për nder Kancelares Merkel dhe Bundestagut gjerman që me kushtet e tyre mund të qetësojnë disi shpirtrat e trazuar të Francës, Holandës, Danimarkës e ndonjë vendi tjetër që janë më shumë për JO. Së fundi, edhe pse Jo-ja e pritshme është « hallvë e ftohtë » duhet të gëzohemi sepse më në fund të paktën do të kemi një « PO » të cilën kemi shumë, shumë vite që e presim./argumentum.al
© Argumentum.