Hapet gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, një nga projektet më të rëndësishme strategjike për ne dhe rajonin, që i përgjigjet gjithashtu edhe fluksit gjithmonë e në rritje duke zgjeruar kapacitetet përpunuese.
Zëvendëskryeministerja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku nga Durrësi, u shpreh se në garë për portin do të jenë 15 kompani ndërkombëtare nga të cilat 5 janë kompani nga më prestigjezet në Europë.
Më tej Balluku vuri në dukje se ky port do i shërbejë shqiptarëve jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke u lidhur përmes hekurudhës me dy porte të thata në Prishtinë dhe Strugë.
Balluku tha se, me këto investime i japim Durrësit dhe Vlorës portet komerciale dhe marinat detare, ndërsa janë projektuar investime edhe në portin e Sarandë dhe Lezhës.
“Përmes këtij, ndërtojmë një port të thellë që i shërben rajonit, teksa do të ndërtojmë një terminal kontenjerësh të gjelbër, sipërfaqe për entet ligjzbatuese që duhet të operojnë aty , një infrastrukturë detare me standardet europiane që do të sigurojë një baze autonome detare të maturur me aleatët tanë NATO, një zonë logjistike për thithjen e investitorëve të huaja në këtë zonë”, u shpreh ministrja, teksa theksoi se, Durrësi do të ketë dy porte të rëndësishme.
Balluku u ndal dhe në arritjet e vitit të fundit.
“Ky ka qenë një vit i veçantë ku janë realizuar projekte historike për të ndërtuar themelet e Shqipërisë 2030. Tuneli i Llogorasë, premtim i pambajtur nga çdo qeveri sot është realitet apo Korridori Blu që po vijon me ndërtimin e segmenteve të tjera dhe do të lidh Shqipërinë me Malin e Zi e Greqinë. Brenda në 2024 dorëzojmë tre vepra të reja infrastrukturore, projektin e Aeroportit të Vlorës, Unazën e madhe të Tiranës dhe Tunelin e Murrizit “, tha Balluku.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, porti i Durrësit në qendër të qytetit është një plagë mjedisore.
Në fjalën e tij në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, Rama u shpreh se, “projektet nuk nisin në momentet kur ato publikohen si sot në formën e thirrjes për shprehje interesi nga kompanitë. Projektet e mëdha nisin kur fillon i gjithë procesi në tryezë i mbledhjes së të dhënave, i krijimit të gjithë grupit të nevojshëm të ekspertëve, i projektimit, i oponencës. Është një histori gjithmonë shumë më e gjatë sesa dëshira dhe nganjëherë sesa limite te durimit, pasi normalisht qytetarët dëgjojnë dhe presin dhe durimi, e para nuk është ndër virtytet e shqiptarëve dhe e dyta në kohët tona është një nga mallrat më të rrallë”.
Por, shtoi kreu i qeverisë, nga ana tjetër është shumë e mirëkuptueshme për shqiptarët, sepse kanë pritur shumë, jashtëzakonisht shumë, kanë pritur shekuj që më në fund të bëjnë zgjedhjen e tyre. Gjithmonë kanë jetuar nën zgjedha që kanë ardhur si rezultat i zgjedhjes së të tjerëve për ta. Dhe për herë të parë në histori shqiptarët në këto 30 e kusur vite jetojnë me zgjedhjen e tyre. Kanë zgjedhur që ky vend të bëhet më në fund pjesë e familjes së bashkuar të vendeve të lira dhe demokratike”.
Por nga ana tjetër, tha Rama, “nga momenti i asaj zgjedhje deri tek zgjidhjet është një histori më vete, sepse e shkuara është një barrë shumë e madhe në të gjitha kuptimet për ne. E shkuara jonë është njësoj si porti i Durrësit në qendër të qytetit. Një port, i cili është një plagë, një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe për imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik, sepse e dimë shumë mirë që gjithë ajo rrëmujë dhe gjithë ai kaos për shumë e shumë vite ka qenë edhe një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale”.
/Argumentum.al