Me një ceremoni solemne, në qytetin Edirne të Türkiye-s u hap Konsullatë Nderi e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast pjesë mori edhe ministri i Jashtëm i vendit Bujar Osmani.
Në ceremoninë e inaugurimit të konsullatës, Osmani tha se miqësia mes Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s është shumë e thellë dhe domethënëse dhe se kjo miqësi reflektohet në diplomacinë e të dy vendeve.
Ai theksoi se ka miqësi të veçantë me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, duke e falënderuar atë dhe duke thënë se ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Osmani tha se konsullata do t’i çojë në një nivel më të lartë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shtoi se Türkiye gjithmonë i ka dhënë mbështetje Maqedonisë së Veriut.
“Kjo mbështetje u kurorëzua edhe me marrëveshjen e partneritetit strategjik të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2008. Türkiye na ka mbështetur gjithmonë dhe ka qëndruar pranë nesh. Me konsullatën e nderit që po hapet, marrëdhëniet tona do të rriten tutje. Jo vetëm që do të thellohen lidhjet tona kulturore, por edhe lidhjet ekonomike, sociale dhe mes dy vendeve do të forcohen më tej. Türkiye është në mesin e dhjetë vendeve të huaja me më së shumti investime në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi ministri Osmani.
Ndërkaq, guvernatori i Edirnes, Hüseyin Kürşat Kırbıyık, tha se Maqedonia e Veriut dhe Türkiye kanë një histori të thellë të përbashkët dhe lidhje të forta kulturore.
Kırbıyık tha se Shkupi, Gostivari dhe Manastiri kanë rëndësi të veçantë për Türkiye-n.
Të pranishëm dhe fjalë rasti në ceremoni kishin edhe deputetja Fatma Aksal nga partia në pushtet AK Parti, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme turke Murat Ahmet Yörük, kryetari i Bashkisë së Edirnes, Recep Gürkan, konsulli i nderit Eser Cevahir, burokratë, përfaqësues të partive politike dhe mysafirë të tjerë./AA