Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se projektligji i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është i vonuar, por ka një rëndësi të madhe.
Alibeaj deklaroi se hapja e dosjeve është një detyrim për të gjithë, në mënyrë që vendi të shkëputet nga e shkuara dhe trashëgimia e regjimit.
“Publiku duhet të informohet për çfarë ndodhi dje, kjo iniciativë për dekomunistizimin është diçka më e madhe se hapja e Dosjeve. Nga ana jonë ka pasur disa iniciativa ligjore dhe duhet të them, iniciativa e parë ka pasur synim përkujtesën, bëhet fjalë për ligjin që synonte që burgu i Spaçit dhe kampi i Tepelenës të kthehen në muze kombëtar. Është nga ato hapat e lënë në hije por kujtesa është një element i rëndësishëm që ka marrë vëmendjen tonë. E dyta, është ajo e cila lidhet me ndalimin e propagandës komuniste, është projektligj i plotë dhe ka filluar puna e konsultimit që në vitin 2018 dhe në gusht është depozituar nga ana jonë për ndërgjegjësimin dhe ndëshkimin e regjimit totalitar komunist. E treta ka të bëjë me hapjen e Dosjeve, ligji për informimin e publikut lidhur me dosjet e ish-Sigurimit. Në 2015 është miratuar ligji për autoritetin për informimin e dosjeve. Është bërë një avancim i lehtë drejt hapjes së tyre u jepej mundësia që vetëm 2 kategori të kishin mundësi të njiheshin me dosjet, e para u jepeshin viktimave dhe e dyta autorëve të krimeve të sigurimit të shtetit. Sigurisht ishte e paqartë se pse u jepej aksesi autorëve të krimeve”, tha ai.
Alibeaj shtoi se edhe sot që flasim, sa pa hyrë në fuqi ligji i votuar dje, publiku i gjerë e ka të pamundur të shkojë tek Autoriteti dhe të paraqesë një kërkesë dhe të marrë atë që kërkon. Duhet të shkëputemi nga e shkuara komuniste.
“Ka pasur mundësi PD ta bënte transparencën kohë më parë. Shoqëria nuk mund të vazhdonte duke mos njohur të shkuarën e vet, nuk do mund të reflektonte dhe të nxirrte mësime për të ardhmen. Tranzicioni na ka treguar çfarë ndodh kur nuk bëhet transparencë për Sigurimin e Shtetit. Duhet të bëhej më parë, në emër të të gjithëve. E bëri e gjithë Europa Lindore. Vetëm këtu nuk u bë”, theksoi Alibeaj./ata