Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, priti në një takim prof. Anar Naghiyev, rektor i Universitetit Sllav të Bakusë (Azerbajxhan).
Rektori shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë, Anar Huseynov, si dhe anëtaret e delegacionit, si prof. Nurlana Mustafayeva, shefja e Departamentit të Studimeve Ballkanike; Nihat Ismayılzade, shefi i Departamentit të Projekteve Ndërkombëtare, në Universitetin Sllav të Bakusë. Delegacioni u shoqërua edhe nga prof. Lindita Latifi. pedagoge në UT.
Nga ana e Akademisë së Shkencave, të pranishëm në takim ishin akad. Anila Hoda, sekretare shkencore; akad. asoc. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike; akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; prof. dr. Anila Omari, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë; prof. as. Adelina Çerpja, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë; prof. asoc. Elda Zotaj, drejtuese e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun.
Gjinushi i njohu me vizionin, strukturën dhe funksionimin e Akademisë së Shkencave, zhvillimet më të fundit në fushën e kërkimit shkencor në këtë institucion, si dhe me mundësitë për bashkëpunime në fusha me interes të përbashkët. Në fjalën e tij ai u ndal më gjatë në njohjen e delegacionit azerbajxhanas me institutet e albanologjisë dhe punën e tyre kërkimore-shkencore.
Rektori, prof. Anar Naghiyev, duke falënderuar për mikpritjen, e vlerësoi këtë takim si një mundësi për të nxitur dhe zhvilluar bashkëpunimin mes dy institucioneve. Në fjalën e tij përmendi rëndësinë që ka marrë zhvillimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, veçanërisht krijimi i urave të bashkëpunimeve me institucionet e arsimit të lartë shqiptar.

Më tej, rektori, prof. Naghiyev, duke prezantuar Universitetin Sllav të Bakusë (BSU), theksoi se ai është universiteti publik më i njohur në Azerbajxhan për sa i takon studimit të gjuhëve dhe se Departamenti i Studimeve Ballkanike ka si synim ofrimin e studimit të gjuhës shqipe në vitin 2026. Ai theksoi më tej se kjo vizitë synon bashkëpunimin dhe konkretizimin e punës për hapjen e katedrës së gjuhës shqipe dhe ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta e të shkëmbimit të stafeve kërkimore.
Ambasadori Huseynov tha se vendi që ai përfaqëson ka në fokus rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në shumë fusha, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit kulturor dhe të shkencave humane.
Sipas tij, kjo ishte dhe arsyeja që para dy vjetësh u hap Ambasada e Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë këtu në Tiranë. Ai foli për mundësinë e lidhjes midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Azerbajxhanit, me mbështetjen e Ministrisë së Edukimit dhe të Shkencës në Azerbajxhan.
Takimi u përmbyll me një angazhim të palëve për të vazhduar përpjekjet për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të frytshëm në fushën e shkencës dhe të arsimit, me fokus të veçantë në zhvillimin e studimeve të gjuhës shqipe dhe në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri dhe në Azerbajxhan.
U diskutua, gjithashtu, rëndësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi, që do të mundësojë realizimin e projekteve konkrete, duke krijuar mundësi për shkëmbime akademike dhe kërkimore, si dhe për ngritjen e një katedre të gjuhës shqipe në Universitetin Sllav të Bakusë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, mirëpriti ftesën për të vizituar kryeqytetin azer Baku, duke theksuar angazhimin e Akademisë për të mbështetur çdo iniciativë që promovon dijen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar e kontribuon në idejimin e projekteve të përbashkëta. Po ashtu, vlerësoi rëndësinë e këtij takimi dhe mundësinë që ofron ai për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.