Nga Josep Borrell
Java që lamë pas ishte shumë e vështirë për të gjithë ne, pandemia e coronavirusit dhe pasojat e saj në mbarë botën kanë mbizotëruar lajmet kryesore, por edhe mendimet tona. Këto zhvillime lanë nën hije gjithashtu një vendim të rëndësishëm, i cili nuk mori vëmendjen e merituar. Në mesin e krizës së coronavirusit, Bashkimi Europian vendosi të çelë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky është një lajm i mirë si për këto dy vendet, por edhe për Ballkanin Perëndimor dhe për gjithë Europën.
Duke marrë këtë vendim të rëndësishëm në këto kohë kaq të vështira, BE-ja ka ecur përpara dhe dërgoi një mesazh që përçon një sinjal me shumë vlerë për Ballkanin Perëndimor: Bashkimi Europian nuk është i plotë pa ju. BE vërtetoi se qëndron e bashkuar në një prej politikave të tyre më të rëndësishme dhe e bëri këtë njëkohësisht teksa trajtonte një krizë globale. Ashtu siç tha dhe kolegu im dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, teksa komentonte për vendimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, se ky vendim është me të vërtetë një “rreze drite në terrin që na rrethon”.
Kemi kërkuar shumë prej këtyre dy shteteve, dhe ata i kanë përmbushur kërkesat. Tani, BE-ja bëri hapin e duhur. Është një mesazh inkurajues se puna e vështirë dhe lidershipi real nga të dy palët, sjell rezultat.
Po ashtu dua të përgëzoj Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO këtë javë. Ky është një hap i rëndësishëm, që konsolidon edhe më tej sigurinë europiane dhe transatlantike. Do të jetë kënaqësi të bashkëpunojmë ngushtësisht në kuadër të kooperimit BE-NATO.
Me hapjen e negociatave, na pret një punë e madhe dhe çelja e negociatave ishte vetëm hapi i parë i një procesi intensiv. Përpara anëtarësimit të plotë, duhet të ndodhin reforma të thella sociale, politike dhe ekonomike. Këto transformime natyrisht kërkojnë kohë dhe mund, por ajo çka është e rëndësishme është se “rrezja e dritës” për këto dy vende duhet të inkurajojë edhe pjesën tjetër të rajonit që të bëjnë atë që është e nevojshme dhe të ndjekin rrugën e reformave. Për të mirën e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
Në kohë të tilla, ne të gjithë po luftojmë që krizë të paparë ndonjëhere si dhe pasojat e saj, duhet të demonstrojmë se çfarë do të thotë vërtetë solidariteti europian dhe global. Solidariteti nuk mund të jetë thjesht një fjalë që ne e themi pa kurrfarë zotimi. Solidariteti duhet të vërtetohet me vepra. Brenda BE-së, vendet anëtare po tregojnë solidaritet, teksa disa prej tyre po marrin pacientë nga spitalet e mbingarkuara të vendeve të tjera anëtare, si dhe duke ndarë pajisje mbrojtëse mes njëri-tjetrit. Puna e përbashkët po vazhdon, për të siguruar riatdhesimin e qytetarëve që kanë mbetur në vende të ndryshme të botës. Dhe ne nuk po i harrojmë njerëzit e Ballkanit Perëndimor.
BE-ja njoftoi këtë javë një paketë ndihme financiare bilaterale për 6 partnerët e këtij rajoni. Ne do të mundësojmë deri në 38 milionë euro për asistenca të menjëhershme për të trajtuar emergjencat si pasojë e COVID-19. Këto para do të mund të blejnë respiratorë, maska dhe aparatura të tjera mjekësore, paguan për fluturimet që sjellin ndihma dhe mbulon nevojat imediate të njerëzve. Për më tepër, Bashkimi Europian vendosi që ta mbështesë rajonin duke rialokuar 347 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të rajonit, në kohën kur të mbarojë emergjenca. Kjo përkthehet në më pak vende pune të humbura, biznese, përfitime sociale, do të thotë një vazhdimësi e jetës së përditshme e njerëzve kur ta kemi kapërcyer këtë pandemi.
Më lejoni t’ju jap detajet konkrete të mbështetjes së menjëhershme të BE-së në sektorin e shëndetësisë së individit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike:
- Shqipëria: 4 milionë euro për sektorin e shëndetësisë; 7 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike. Kjo vjen në kuadër të sigurimit të menjëhershëm të asistencës humanitare dhe konferencës së donatorëve e cila mblodhi më shumë se 1 miliardë euro për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit të shkuar.
- Bosnja dhe Hercegovina: 7 milionë euro për sektorin e shëndetësisë; 74 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe dhe ekonomike. Qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës u është mundësuar kthimi në shtëpi nga Maroku me një avion riatdhesimi të BE-së.
- Kosova: 5 milionë euro për sektorin e shëndetësisë, 63 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe dhe ekonomike.
- Mali i Zi: 3 milionë euro për sektorin e shëndetësisë, 50 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe dhe ekonomike.
- Maqedonia e Veriut: 4 milionë euro për mbështetje emergjente në sektorin e shëndetësisë, 62 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
- Serbia: 15 milionë euro për mbështetje emergjente në sektorin e shëndetësisë, 78 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
Ballkani Perëndimor mund të ketë besim tek solidariteti i BE dhe jo vetëm në kohë krizash. BE-ja është donatori, investitori dhe partneri tregtar kryesor i Ballkanit Perëndimor. Që nga 2014, BE-ja i ka dhuruar mbi 1 miliardë euro në mbështetje financiare popujve të Ballkanit Perëndimor. Këto janë fakte të rëndësishme që demonstrojnë përfshirjen e BE-së në rajon dhe përpjekjet e saj për të luftuar virusin në BE dhe gjetkë, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Kjo është koha kur duhet të shfaqemi serioz për solidaritetin dhe bashkëpunimin. Duhet të punojmë fort, krah për krah, me solidaritet, dhe të mbështesim njëri-tjetrin, sepse askush nuk është në gjendje që ta përballojë i vetëm situatën aktuale.