Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev udhëtuan sot drejt Brukselit, në vigjilje të vendimit të krerëve të shteteve dhe qeverisve të vendeve anëtare, të cilët do të mblidhen nesër dhe pasnesër për të diskutuar ndër të tjera dhe mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Një ditë më parë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dështuan të arrinin një marrëveshje, pas refuzimit të Francës e cila kërkon një rishikim të procesit të bisedimeve në kuadër të një riorganizimi të procesit të Zgjerimit.
Në një video mesazh përmes Facebook-ut, kryeministri Rama shpjegoi se ai dhe homologu maqedonas do të takohen me “ kryeministrat e qeverive socialiste dhe progresiste të BE-së në një format të krijuar enkas nga Partia Socialiste Europiane në funksion të nevojës, për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërme”, u shpreh zoti Rama.
Ai tha se nuk është “as optimist, as pesimist për rezultatin e këtij procesi” duke theksuar se sipas tij “po bëhet maksimumi për të marrë “PO”-në e merituar”.
Sipas zotit Rama, çështja e të dy vendeve ballkanike pritet të jetë ndër temat e diskutimit mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, të cilat janë takuar sot në Tuluz, në kuadër të samitit franko-gjerman të dy qeverive. Kancelaria Merkel dhe Gjermania, tha zoti Rama, po përpiqen intensivisht për një “PO” për të dyja vendet, ndërkohë që qëndrimi i Presidentit Macron dhe i Francës nuk përkon, për momentin të paktën, me atë të Gjermanisë dhe të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare”, shpjegoi kryeministri shqiptar, sipas të cilit është “pak, por e sigurt se edhe Franca e njeh dhe e vlerëson progresin e bërë, ashtu sikundër kërkon sot, shumë më tepër nga BE-ja, sesa Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.
Një ditë më parë, Sekretarja franceze e Shtetit për Çështjet europiane Amelie de Montchalin konfirmoi qëndrimin e Parisit, sipas të cilit duhet më parë të rishikohet i gjithë procesi i zgjerimit. “Europa duhet të reformojë së pari bisedimet në kuadër të zgjerimit. Ne jemi të shqetësuar për procesin. A është ai efikas? Sipas pikëpamjes sonë jo.Dhe kemi shumë vende që mbështesin këtë ide të rishikimit të bisedimeve përmes një riorganizimi. Nga ana tjetër – shtoi ajo – ne duhet të sigurohemi që reformat e kërkuara për hapjen e bisedimeve të jenë reale. Jo vetëm të jenë votuar por dhe të jenë zbatuar”. Zonja Montchalin theksoi se Franca nuk i kundërvihet perspektivës europiane të Balkanit perëndimor. Por gjërat duhen bërë në një mënyrë të besueshme”, tha zonja De Montchalin.