Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova dhe kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj janë përplasur në debatin organizuar nga Instituti EPIK në trevjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Haradinaj tha se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederica Mogherini ka dëmtuar dialogun Kosovë-Serbi dhe ka shkaktuar traumë politike.
“Unë bëra kujdes mos me thënë cilat janë vështirësitë. Por një vështirësi e kemi nga komisionerja Mogherini sepse na ka shkaktuar trauma të mëdha politike, e ka devijua dialogun”, u shpreh Haradinaj.
E këto komente të Haradinajt erdhën pasi Apostolova tha se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe ka shkaktuar vështirësi në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA’së).
Sipas Apostolovës, taksa është shkelje e MSA-së dhe e bën Kosovën një vend më pak atraktiv për tregti.
“Përparimi është bërë në disa fusha dhe disa vendime janë marrë në kuadër të MSA-së, si industria e duhanit. Tarifa 100 për qind nuk është vetëm shkelje e CEFTA-s, por edhe kundër MSA-së. BE-ja është partner i Kosovës dhe këto barriera do të dobësojë rrugën konkurruese për ekonomi dhe e bënë një vend më pak atraktiv për tregti”, tha Apostolova.
Ndërkaq Apostolova i është drejtuar kryeministrit Haradinaj që të rishqyrtojë vendimin për taksën.