Deklaratave të zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut, i është kundërpërgjigjur ashpër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se deklaratat e tilla dëshmojnë se BE-së i ka humbur rruga në oborr.
Sipas shefit të qeverisë, deklarata e Kocijançiqit është qëndrim i papranueshëm dhe që cenon shtetin e Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tutje ka thënë se Trepça nuk është çështje e hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Haradinajt, temat e tilla tregojnë qëllimin për ndarjen e Kosovës.
“Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, përfundon postimi i Haradinajt në Facebook.
Ndryshe, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq ka deklaruar se çështja e Trepçës duhet të merr epilog në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
Ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën, kishte reaguar ashpër edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se dialogu nuk do të vazhdojë nëse ndërrohet statuti i Trepçës.