Shpendi TOPOLLAJ
Plot nëntë vjet më parë, në librin e tij “Bis si një variete”, Mjeshtri i Madh Haxhi Rama shkruante: “Po kur unë të kem ikur, / Dua t`ju mungoj më pak, / Ndaj ju lë në këtë libër, / Dikujt një batutë, e dikujt një varg”. Por siç shihet, ai nuk mbeti thjesht tek ato batuta e ato vargje skenash; por doli në jetën e vërtetë dhe na solli në formë kujtimesh të letrarizuara librin e porsa botuar nga SH.B. Jozef, me titullin e goditur “Duke pirë një kafe”, ku na tregon se edhe mjedisi durrsak, në stigmatën e tij, ndaj veseve të kohës, ndofta nuk ishte në nivelin e atij shkodran, por asnjëherë nuk i ka munguar mençuria, ironia, sarkazma e deri guximi disident i shumë përfaqësuesve të tipikë të tij. Natyrisht që ky libër, nuk e shteron këtë temë të gjërë, dhe për pasojë ende nuk mund të quhet sipas kuptimit të veprës së Fransua Rablesë (François Rablais), “Gargantua dhe Pantagruel”, “enciklopedia e të qeshurës” durrsake. Ama, ai i ka të gjitha ato që kërkohen nga një gjini e tillë, për ta kundruar atë si një përmbledhje serioze të të gjitha formave të njohura të komizmit. Personazhet që shfaqen nga faqja në faqe, janë nga më të ndryshmit. Njerëz të profesioneve që në dukje nuk kanë lidhje me njëri – tjetrin, por që jetojnë po atë realitet, shpesh grotesk.
Dikush, pra Osman Rexha është berber e dikush sekretare partie, por që të dy e kuptojnë shakanë, e pranojnë atë edhe kur është e hidhur, pavarësisht reagimit në dukje, ku njëri qesh me djallëzi, si për të çliruar shpirtin e tjetra me zor e mban nënqeshjen se ashtu ia do puna. Ishte një kohë, kur sistemi mburrej se ishte aq vigjilent, sa edhe kur e lavdëroje dyshonte në ato që thuheshin e jo më të kishe kurajën ta kritikoje. Natyrisht që atmosfera do infektohej me hipokrizi, madje edhe me vese, deri me tjetërsim të njeriut, por këto nuk mund të mbeteshin ashtu të sheqerosura e të çensuruara me kujdes brenda mureve të estradave apo ekraneve të televizionit. Në jetën e përditshme reagohej, se të tilla, për të mos thënë, të pashembullta ishin si mungesat ashtu edhe kufizimet.
Të gjithë luanin me gjasme; bënin sikur ishin të kënaqur e të lumtur. Dhe lumturinë e shihnin së pari tek udhëheqja e fortë dhe e pagabueshme e Partisë. Asaj partie që e kishte bërë vendin “fanar ndriçues” në botë. Dhe kornizave që impononte skena për artistin e ndjerë Fadil Hasa, i jepte krahë ajo biseda e përditshme, e çpenguar me shokët, atje në klub rreth një tavoline, duke pirë kafenë. Dhe nuk ishte vetëm ai. Haxhiu ka sjellë në libër shumë prej atyre që ka parë, dëgjuar e njohur vetë dhe që bënin humor sipas parimit “qesh e ngjesh”. Mirëpo, nuk ke sesi të mos pranosh se jo vetëm koha që lamë pas, por edhe kjo e sotmja ka kusuret e veta. Molieri e shkroi komedinë e tij “Borgjezi fisnik” në vitin 1670, por askush nuk mund të thotë se ajo sot është jashtë kohe. Kokëboshi de Zharden, ai vanitozi që me disa para të fituara kërkonte të jetonte si aristokrat, gjë që e bëri aq qesharak, a nuk na kujton de Zhardenët tanë? Pra, janë disa personazhe që kanë vlerën dhe rëndësinë e tyre në çdo kohë. Ndaj i them Xhixhit që të vijojë të shkruaj, jo thjeshtë për të mbushur fletët e enciklopedisë të qytetit tonë në fushën e respektuar të humorit, por edhe për t`i bërë një shërbim triumfit të së mirës dhe të ndershmes nëpërmjet demaskimit të së keqes, d.m.th. ndarjes prej kësaj të fundit duke qeshur. Duke qeshur sipas trashëgimisë që la kritikuesi më i madh i padrejtësive dhe i korrupsionit, Mark Tweni se “Njerëzimi është i zhytur në trishtim. Burimi i mirëfilltë i humorit nuk është gëzimi, por është hidhërimi. Në botën qiellore humor nuk ka”.